“Tajlanda” shqiptare që patjetër duhet ta vizitoni

11:05 | 11 Gusht 2019 | Alban Begolli

Është një mrekulli të shikosh këtë oazë aty ku Shala përqafohet me Drinin.

Lumi i Shalës gjendet në Shkodër të Shqipërisë. Në vitet e fundit është

bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë, shkruan arbresh.info.

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare.

Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët, por jo vetëm.

Pos bukurive përrallore, në momentin që mbërrini në Lumin e Shalës, do të shkëputeni tërësisht nga bota e jashtme ngase këtu nuk ka rrymë elektrike, madje nuk ka as internet dhe valët e celularit tuaj nuk do të funksionojnë.

Vizitorët e shohin si pozitive, ngase pushojnë më shumë kur shkëputën nga bota e jashtme.

Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme është disi e gjatë, por jo e lodhshme.

Udhëtimin e mundësuar nga Armend Tours, e nisëm nga Prishtina rreth orës 04.00 të mëngjesit. Pas shtatë orë udhëtimi me autobus në rrugë të asfaltuar arritëm në pikën e nisjes së varkave në liqenin e Komanit dhe nga këtu udhëtuam me varkë rreth 2 orë e gjysmë derisa arritëm lumin e Shalës.

Gjatë udhëtimit në Liqenin e Komanit, përveç pamjeve mahnitëse të maleve të larta, ju rrethojnë edhe fshatrat dhe shpellat të cilët sipas gojëdhënave thuhet se kanë qenë vende strehimi të shqiptarëve për t’u ruajtur nga pushtuesit otoman.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të shijosh dhe rrezet e diellit.

Ata me aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale.

Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme. Ndërsa Armend Tours, organizon udhëtime të rregullta çdo javë nga Prishtina, Gjakova dhe Prizreni.

Pas disa orëve shëtitje në ujërat e kthjellëta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke të shijshme në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët i hipin sërish varkave të vogla për të provuar rrugën e kthimit, e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit.

Brenda ditës je përsëri në Prishtinë por… ke kaluar një ditë ndryshe… /A.Begolli /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara