Tahiri : Ministria e Drejtësisë me rezultate pozitive në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje

15:00 | 4 Dhjetor 2019

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në tryezën ku është prezantuar projekti “Baza e të dhënave të rasteve të dhunës në familje”, e cila është realizuar nga Zyra e Koordinatorit Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Me këtë rast, ministri Tahiri, tha se Ministria e Drejtësisë, për këto dy vite ka pasur një progres substancial në parandalimin dhe trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje, ndërsa vlerësoi se baza e të dhënave të rasteve të dhunës në familje është e arritur e prekshme.

“ Kjo data bazë, shënon një ndër të arriturat e prekshme, që do të jetë në funksion afatgjatë për zbatuesit e ligjit, mbështetjes psiko-sociale dhe shoqërisë në përgjithësi. Parametrat e saj, do të diktojnë trendin, natyrën dhe do përbejnë ftesë për veprim të menjëhershëm, për parandalim të dhunës, për trajtim adekuat psiko-social e ligjor të viktimave të dhunës në familje, dhe mbi të gjitha, për sensibilizim kombëtar kundër kësaj dukurie”, tha ministri Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, kjo data bazë nuk ka qëllim primar grumbullimin e të dhënave sa për t’i evidentuar ato, por edhe analizën shkak-pasojë në mes tyre, analizën e rasteve të dhunës në familje, rrjedhimisht, ndërtimin e një perspektivë më efektive që i përgjigjet problemeve reale.

“ Prandaj, jam thellësisht i bindur se kjo data bazë, i jep dimension të ri përpjekjeve të institucioneve tona në parandalimin dhe trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje”, tha ministri Tahiri.

Ministri Tahiri tha se janë tri komponentë që e bëjnë të mundur dhe që është punuar për trajtimin dhe parandalimin e dhunës në familje duke filluar në rrafshin e drejtësisë penal ku sipas tij dhuna në familje është sanksionuar për herë të parë si vepër penale në kuadër të Kodit të ri Penal.

“ Së dyti, në rrafshin e pozitës juridike të gruas, janë bërë përparime të rëndësishme në të drejtat pronësore, për t’i dhënë fuqi ekonomike dhe pavarësi financiare dhe së treti, në rrafshin e mobilitetit ndër institucional për të trajtuar çdo dimension të parandalimit dhe trajtimit të viktimave të dhunës në familje, komponentë që po plotësohet më vënien në funksion të kësaj data baze”, deklaroi ministrit Tahiri.

Para të pranishmëve, ministri Tahiri tha se është obligim i pashmangshëm i secilit, qoftë si bartës të pushtetit dhe funksioneve institucionale, qoftë si qytetarë të këtij vendi, që të angazhohen që dhuna në familje të mos cenojë integritetin e gruas, fëmijëve dhe viktimave të ndjeshme.

Ndërsa zëvendësministrit i Ministrisë së Drejtësisë, njëherë Koordinator Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Naim Qelaj, tha se baza e të dhënave e rasteve të dhunës në familje, është unike dhe origjinal në atë mënyrë që të ju përshtatet atyre zyrtarëve që do të punojnë në të.

Të pranishëm në këtë organizim ishte edhe përfaqësuesja e Zyrës së BE-s në Kosovë, Annette M. Fath Lihic, koordinatorja e OKB-së për Zhvillim/UNDP Përfaqësuese e Përhershme në Kosovë, Ulrika Richardson, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues nga KGJK dhe KPK, Policia e Kosovës, të cilët folën për rëndësinë e kësaj data baze. /arbresh.info/

Lajmet më të lexuara