“Ta pastrojmë Kosovën” bënë që Kosova të udhëheqë organizimin në të gjithë botën

15:07 | 9 Janar 2019

Ministri Fatmir Matoshi, së bashku me drejtorin e “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, kanë takuar udhëheqësen e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, dhe anëtaren e Bordit, Anneli Ohvril, me të cilat kanë diskutuar mbi rezultatet e aksionit për pastrimin e Kosovës si dhe për bashkëpunimet në të ardhmen.

Ministri Matoshi ka thënë se Kosova u përgëzua në këtë takim për punën që ka bërë gjatë aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’.

“Në takim ne u përgëzuam si vend, si task forcë, si Qeveri, si ministri, si Organizata të Shoqërisë Civile për punën që e kemi bërë në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’, nga ‘Let’s Do It Kosova’. U përgëzuam për numrin e madh të vullnetarëve që kanë marrë pjesë në këtë fushatë. Janë mbi 10%. Kjo na bënë të ndjehemi krenar si Ministri, si vend, si shoqëri për organizimin që kemi bërë”, ka thënë ai, raporton arbresh.info.

Matoshi ka thënë se ka ende punë për t’u bërë.

“I thash zonjës që Kosova ende nuk është e pastër ka ende punë për të bërë, edhe në aspektin ligjor, ku do të kemi gjoba. Nuk do të lejojmë asnjë keqbërës të shkatërrojë ambientin tonë. I thash që na mbetet sfidë çështja e riciklimit e të gjithë këtyre mbeturinave. Folëm edhe për çështje tjera që ndërlidhen për bashkëpunimin e ardhshëm në mes të Let’s Do It Kosova dhe Let’s Do It World. Do të jemi bashkë në konferencën vjetore që mbahet në Talin ku Kosova është shembull”, ka thënë ai.

Udhëheqësja e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, ka lavdëruar institucionet për punën e bërë me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Jeni duke udhëhequr si shembull në mesin e 158 shteteve që janë anëtare e ‘Let’s Do It World’. Për këtë arsye si rezultat të shkëlqyer që ka ofruar Kosova në këtë drejtim, ju ftojmë të jeni shtet udhëheqës në organizimin që do të ndodh në shtator në gjithë botën. Jemi të nderuar që Ministri Matoshi do të jetë pjesëmarrës në konferencën që do të mbahet në Estoni. Po ashtu ta ndajmë një eksperiencë që Luan Hasanaj ka bërë me organizatën e tij,” ka pohuar ajo.

Drejtuesi i projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, ka deklaruar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë aktivitetet e pastrimit.

“Është kënaqësi që, më shumë se sa rezultati që është arritur në aksionin e pastrimit të Kosovës ku u larguan 900 deponi, po arrijmë që Kosovën ta bëjmë lajm ndërkombëtar. Kosova është lajm i mirë për shumë vende të botës andaj shpresojmë që të vazhdohet mbarë gjatë tërë vitit duke dhënë lajme të mira. Fushata ta pastrojmë Kosovën është një nga modelet më të mira që ka ndodhur. Do të vazhdojmë edhe bashkëpunimin me institucionet, por në radhë të parë ta japim kontributin tonë,” ka deklaruar Hasanaj./arbresh.info/