Studentët do të protestojnë sërish për përjashtimin e Fakultetit të Arteve nga konkursi i bursave

23:04 | 6 Nëntor 2019

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve nesër pritet të mbajë përsëri protestë për të kundërshtuar vendimin e MASHT-it për konkursin e bursave, të cilin ata po e konsiderojnë diskriminues.

Protesta fillon nesër prej orës 10:30, dhe fton të gjithë studentët që të mblidhen tek Fakulteti i Arteve për të marshuar drejt Ministrisë së Arsimit.

“Këshilli Studentor nesër Organizon Protestë me Studentët e njësisë tonë Akademike nga ora 10:30, takohemi tek fakulteti i Arteve dhe marshojmë drejtë Ministrisë së Arsimit, ku dhe do të zhvillohet pjesa kryesore e aktivitetit”, thuhet në postimin e organizatës studentore “Reforma” që udhëheq me KS’në e Fakultetit të Arteve.

“Ne jemi kundër që në këtë mënyrë të diskriminohen studentët e dalluar të cilët kanë arritur rezultate të larta në studimet e tyre, ky konkurs për bursa i shpallur nga Ministria e Arsimit është shqetësim për ne, duke mos e përfshirë Fakultetin e Arteve i cili është mjaft specifik dhe saktësohet mirë edhe me rregullore dhe statut të Universitetit të Prishtinës”

E gjithë kjo protestë vjen pas vendimit të ministrit të Arsimit për mospërfshirje të studentëve të FA’së në konkursin për bursa.

Masa të tjera janë marrë nga studentët rreth këtij vendimi. Ndër to edhe bojkotimi i mësimit.

Nesër pritet që kësaj proteste të i bashkohen edhe profesorët e këtij Fakulteti. Është paralajmëruar që studentët do bëjnë aktivitete kreative para Ministrisë sikur pikturimi, këndimi dhe rënia e instrumenteve muzikore.

“Duke ditur se shpenzimet në këtë Fakultet janë mjaftë të larta dhe nganjëherë edhe të pa përballueshme për studentët, të cilët deri në vitin e kaluar kanë shfrytëzuar mundësinë e tyre për bursë nga ministria e Arsimit, e cila ka qenë një mbulesë dhe lehtësim i madh për rimbursimin e mjeteve të shpenzuara gjatë studimeve. Ku mbetën premtimet e Ministrit të Arsimit se buxheti për bursa do të rritet nga viti në vit, tani po del e kundërta, duke e stër-minimizuar numrin e ndarjes së bursave për studentët e dalluar, kjo si duket është shfrytëzuar më shumë për parafushatë elektorale dhe fare nuk i shohin si prioritet vullnetin dhe stimulimin e studentëve që të arrijnë rezultate të shkëlqyera në studime”, thuhet tutje në komunikatë.

“Ne nuk jemi kundër kritereve, jemi kundër faktit që nuk ka gjithëpërfshirje”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara