Sokol Dobruna: Gëzohem që kam me shku në Hagë në Gjykatë Speciale

14:00 | 25 Dhjetor 2017

Në një shkrim të publikuar sot, u tha se aktakuzat e para të Gjykatës Speciale do të ngrihen pas 17 Shkurtit, e në listën e të akuzuarve të parë janë Azem Syla, Sokol Dobruna, Shukri Buja e Daut Haradinaj.

Sokol Dobruna, i cili ishte drejtues i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që njihet për “dënimin me pushkatim” që ia kishte bërë Blerim Kuçit gjatë luftës, tani anëtar i AAK-së, sipas shkrimit të portalit Insajder, do të akuzohet për lejimin e burgosjeve dhe vrasjeve të personave pa u gjykuar.

Dobruna për Gazetën Express të hënën ka thënë se ai sapo ka dëgjuar për këtë shkrim, ndërsa nuk ka koment për të.

Megjithatë, ai thotë se e di qëllimin e Gjykatës Speciale, e qëllimet e saj, sipas tij, ka rol politika ndërkombëtare.

“Mirë është s’kam koment. Unë e di qysh herët se ku janë qëllimet e Gjykatës Speciale”.

“UÇK-ja e Maqedonisë është shuar, UÇK-ja e Preshevës është shuar, u ndjek e u përndjek, tendenca është me u shu, me devalvu edhe kjo, sepse dikujt s’po i konvenon. Rrajtë janë këtu”, ka shpjeguar Dobruna.

Ai nuk ka treguar qartësisht dhe specifikisht se kujt po i konvenon të gjykohet UÇK-ja, e thotë se kjo merret vesh më vonë.

“Merret vesh pak ma vonë. Ka të bëjë me ndikimet e makropolitikës, politika globale është në pyetje”.

Ndërsa, Dobruna, në fund ka thënë se e gëzon fakti që ‘ai do të shkojë në Hagë’, edhe pse më parë kishte deklaruar se nuk bashkëpunon me Gjykatën Speciale, përkundër rolit që e kishte si drejtues i Gjykatës së UÇK-së.

“Nuk kam çfarë të shtoj më. Më gëzon fakti që kam me shku në Hagë në Gjykatë Speciale”, është shprehur ai.

Dobruna ka folur edhe më parë për Gjykatën Speciale, themelimin e së cilës e ka cilësuar një padrejtësi të madhe dhe mohim të shtetit të Kosovës nga ana e komunitetit ndërkombëtar./GazetaeExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara