Sindikata e zhgënjyer me Kuvendin për mosmiratimin e Ligjit të ri për RTK-në

13:48 | 13 Shtator 2019

Sindikata e punëtorëve të RTK-së ka shprehur edhe njëherë indinjatën e saj lidhur me neglizhencën e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjit të ri për Transmetuesin Publik.

Përmes reagimi për media, sindikata sqaron se situata në medium nuk është e mirë dhe vetëm po shkon duke u rënduar, shkruan lajmi.net.

Ata thonë se do të ndërmarrin veprime ligjore, dhe nuk do të presin më nga Kuvendi.

Sindikata po ashtu përmes këtij reagimi i ka bërë thirrje Bordit që të mblidhet sa më parë për caktimin e kryetarit.

Reagimi i plotë:

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së shpreh zhgënjim të thellë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha partive politike në vend të cilat tash e 20 vjet qëllimisht nuk po i gjejnë zgjidhje mediumit të vetëm publik RTK. Është e sata herë që Kuvendi i Kosovës fillon procedurat kinse ta miratojë ligjin e ri për RTK-në, përveç vizitave të anëtarëve të Komisionit për Media ne vende të ndryshme të rajonit për të parë praktikat e këtyre vendeve sa i përket ligjit për transmetuesin publik, ky komision dhe partitë politike përsëri dështuan për ta miratuar ligjin e ri të RTK-së, dhe në këtë komision i kanë pasur përfaqësuesit e tyre.

Të nderuar përfaqësues të partive politike, situata në mediumin publik është jo e mirë dhe vetëm sa po shkon duke u rënduar. SPERTK ju bën me dije se ne nuk do të rrimë duarkryq kur është në pyetje RTK, ne do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta mbrojtur mediumin e vetëm publik, për të cilin ju e keni dëshmuar se nuk jeni te interesuar ta rregulloni RTK-në përmes ligjit të ri fare. Deri kur duhet të pres RTK që ju te gjeni zgjidhje për të deri sa te rrënohen objektet e stërvjetruara dhe të vdesë dikush nga ne? Deri sa të shkatërrohet medium publik? Apo kjo është e qëllimshme për ta dobësuar RTK-në përmes formave të ndryshme dhe për të forcuar ndonjërin nga TV privat në Kosovë. Kjo nuk do të ndodhë asnjëherë edhe nëse dikush e ka në skenar.

SPERTK po ashtu i bën thirrje Bordit të mblidhet sa më parë dhe sa më parë ta emëroj kryetarin e Bordit, po ashtu Bordi në afat sa më të shpejtë së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së duhet të zgjedh drejtorin e TV-RTK-së dhe kryeredaktorët në mënyrë që RTK të funksionojë normalisht.

SPERTK pret nga legjislatura e re që në fillim të punës së saj të miratojë ligjin e ri të RTK-së, i cili do t’i hapte rrugë zhvillimit të RTK-së dhe kushteve më të mira për kolegët tanë, duke filluar nga ndërtimi i objektit, digjitalizimi dhe forma e pavarur e financimit. SPERTK e ka kundërshtuar përfshirjen e RTK-së në ligjin për pagat dhe vazhdon ta mbajë të njëjtin qëndrim  dhe se vetëm ligji i ri do të garantonte funksionimin e pavarur të RTK-së dhe përjashtimin e individëve të cilët vijnë nga politika dhe kanë mision shkatërrimin e RTK-së.

SPERTK në ditët ne vijim do të kërkojë takim me ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë, dhe Zyrën e BE-së për t’i njoftuar me situatën jo të mirë në Mediumin Publik e për të cilën fajin kryesor e kanë partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës. Ne po ashtu ditët në vijim do t’ju njoftojmë edhe për kohën se kur do të fillojmë me protesta për të kërkuar të drejtat tona të cilat janë të garnatuara me ligjet ne fuqi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara