Shqiptohen 119 gjoba për ndotësit e mjedisit gjatë muajve shtator – tetor

16:32 | 15 Nëntor 2019

Organizata joqeveritare “Let’s Do It”, ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit.

Sipas njoftimit për media bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se gjatë muajit shtator dhe tetor janë shqiptuar gjithsej 119 gjoba mandatore sipas këtij Udhëzimi.

“Sipas monitorimit të bërë nga “Let’s Do It” për muajt shtator dhe tetor, rezulton se Mitrovica i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 23, pasuar nga Ferizaji me 21 gjoba të shqiptuara, Peja 16 dhe Deçan ku janë shqiptuar 12 gjoba. Me nga 7 gjoba të shqiptuara, lista vazhdon me Komunën e Gjilanit dhe Shtimes, pasuar nga komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Kamenicës, Istogut dhe Klinës me nga 4 gjoba të shqiptuara për ndotësit. Ndërsa gjatë muajve shtator e tetor, në Komunën e Rahovecit, Obiliqit dhe Drenasit janë shqiptuar nga tre gjoba, në Komunën e Suharekës dy gjoba, derisa nga një gjobë kanë shqiptuar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komuna e Malishevës dhe komuna e Vitisë. Në muajt shtator dhe tetor, asnjë gjobë mandatore nuk është shqiptuar në komunat, si: Fushë Kosova, Skenderaji, Podujeva, Kaçaniku, Hani i Elezit, Gjakova dhe Lipjani”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara gjatë muajit shtator dhe tetor ishte ai i hedhjeve të mbeturinave jashtë kontejnerëve, parkimi në zonat e gjelbëruara dhe ndotja e rrugës.

“Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave. “Let’s Do It” ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /arbresh.info/

Lajmet më të lexuara