Shifra alarmante/ 23 vrasje për nëntë muaj në Kosovë

23:45 | 27 Shtator 2020

Këtë vit ka pasur rritje të numrit të vrasjeve në Kosovë krahasuar me vitin e kaluar. E kjo sipas ekspertëve është pasojë e problemeve financiare, mendore e sociale.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë këtij viti (deri më 16 shtator) kanë ndodhur gjithsej 23 vrasje në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Ky numër është i njëjtë me numrin e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë gjatë gjithë vitit të kaluar.

Sipas raportit vjetor të punës të Policisë të Kosovës për vitin 2019, numri i vrasjeve ka qenë 23, saktësisht 11 raste më pak sesa në vitin 2018 ose një rënie prej 32.35 për qind e rasteve.

Por, këtë vit është vërejtur një rritje e rasteve. Për një periudhë shtatë muaj e gjysmë është arritur numri i 23 vrasjeve.

Sipas statistikave të policisë së Kosovës, në kategorinë e vrasjeve ka pasur 65 raste në tentativë dhe 12 kur vrasja është kryer ndërsa në kategorinë e vrasjeve të rënda, ka pasur 10 raste në tentativë dhe 11 kur vrasja është kryer.

E lidhur me këtë, sociologu Jeton Brajshori thotë se është mjaft brengosëse. Sipas tij, ekzistojnë shumë arsye që e shtyjnë individin drejt vrasjes siç janë problemet financiare, mendore, sociale por edhe problemet mes njerëzve në përgjithësi.

“Është mjaft brengosëse rritja e numrit të vrasjeve këtë vit tek ne. Ekzistojnë disa arsye që një individ e shtyjnë tek vrasja si: problemet financiare, problemet mendore, problemet bashkëshortore, problemet sociale e të ngjashme. Këto janë disa nga arsyet më të shpeshta që çojnë tek vrasjet, por këtë vit ndikim mund të ketë pasur edhe pandemia dhe depresioni”, thotë Brajshori.

Sipas Brajshorit, shteti duhet ta trajtojë me shumë rëndësi dhe kujdes këtë temë dhe gjithashtu institucionet e sigurisë t’i marrin me seriozitet thirrjet për ndihmë.

“Shteti duhet t’i përforcojë më shumë qendrat për punë sociale me sociologë e psikologë dhe t’i kushtohet kujdes thirrjeve që bëhen duke kërkuar ndihmë”, tha Brajshori i cili thotë se nëse nuk reagohet, viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i rëndë.

Gjithashtu, ekspertë të fushës kanë thënë se edhe e kaluara e shoqërisë kosovare ndikon në numrin e madh të rasteve të vrasjes ku njerëzit nuk vendosin që problemet mes tyre t’i zgjedhin nëpërmjet ligjit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara