Sërish protestojnë ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave

15:58 | 4 Shkurt 2016

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, sot kanë protestuar përsëri para Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ku edhe u takuan me kryetarin e bordit të kësaj agjencie, Petrit Gashi për të diskutuar rreth kërkesave të protestuesve.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj kishin ardhur në protestën para AKP-së, ku kërkuan që të zbatohet vendimi për shpërndarjen e 20 për qind të shumës për të gjithë ish-punëtorët.

Anëtari i kryesisë së Shoqatës Sindikale të kësaj fabrike, Imri Sadiku, i cili ishte pjesë e delegacionit që u takua me kryetarin e Bordit të AKP-së, Petrit Gashin, tha pas takimit se Gashi u shprehë i gatshëm për të bashkëpunuar, por ai nuk e ishte i njoftuar në detaje me rastin e Fabrikës së Tubave.

“Sot e patëm një takim me kryetarin e bordit, Petrit Gashin dhe stafin e tij. Na premtoi se do të punojë gjithçka që është norma ligjore. Sipas meje kryetari nuk ishte i njoftuar në d etaje me rastin tonë, pasi ia ka filluar rishtas punën, por ai shprehu një gatishmëri me qenë në kontakt të rregullt me ne dhe kështu po kemi shpresë se kryetari i ri do t’i kuptojë hallet tona dhe do t’i zbatojë vendimet e gjykatave që kanë vendosur në favorin tonë”, tha ai.

Edhe sipas anëtarit tjetër të shoqatës Sindikale të Fabrikës së Tubave, Ali Shabani, kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi premtoi se do të punohet seriozisht në çështjen e pagesës së borxhit ndaj ish-punëtorëve të kësaj fabrike.

Në lidhje me grevën e ish-punëtorëve të kësaj, e cila end epo vazhdon, Shabani tha se janë pesë grevistë të cilët sipas tij janë shkëputur nga shoqata Sindikale e fabrikës dhe nuk e përfaqësojnë këtë sindikatë.

“Me keqardhje mund të them se këta janë nja pesë persona që janë shkëputur prej Shoqatës Sindikale, nuk e përfaqësojnë Shoqatën Sindikale. Me keqardhje them se ne nuk jemi duke u marrë me ta sepse edhe të hënën e kaluar kur e morëm vendimin për me ardhë në protestë tre veta ishin kundër, ndërsa se 300 deri në 400 punëtorë erdhen këtu në protestë. Ata janë shkëputur, i kanë interesat e veta, unë nuk përzihem. Secili qytetarë ka të drejtë të protestojë dhe mbajë grevë, por greva ligjërisht si është paraparë me ligj, ne e kemi suspenduar, e kemi njoftuar Policinë, Qeverinë AKP-në dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sepse ligji për greva kështu e parasheh”, tha Shabani.

Pas takimit të përfaqësuesve të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj me kryetarin e Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, protestuesit u shpërndan të qetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara