Selimi: S’jam kërcënuar nga askush e as s’kam nevojë për ndonjë mbrojte

17:59 | 17 Janar 2020

Deputeti Rexhep Selimi  ka mohuar lajmet se ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare pas intevistimit nga Gjykata Speciale.

Selimi thotë se nuk ka marrë ndonjë kërcënim, e se nuk ka nevojë për mbrojtje dhe këtë nuk do ta kërkonte nga dikush.

“Unë as nuk kam marrë ndonjë kërcënim, as nuk kam nevojë për mbrojte dhe rrjedhimisht as nuk kam kërkuar mbrojtje nga dikush”, thotë ai, teksa shton se po të kishte nevojë që ta mbron dikush, do të kërkonte këtë nga Policia e Kosovës.

“Po të kisha nevojë për mbrojtje unë do ta kërkoja nga Policia e Kosovës”, thekson deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Rexhep Selimi ka bërë të ditur për Gazetën Express se në Gjykatë Speciale nuk ka pranuar as mbrojtje juridike e as fizike.

“Sa i përket raportit me ftesën time në Gjykatën Speciale, unë nuk kam pranuar as mbrojtje e as fizike. Pra nuk kam nevojë as për avokat e as për truprojë”, ka thënë Selimi.

Deputeti e ka cilësuar si të rremë lajmin e shpërndarë në media, e si sulm ndaj tij.

“Mua më mbron e drejta që është në anën e UÇK-së. Një lajm të rremë të këtillë e konsideroj si sulm të ulët mbi integritetin tim politik dhe njerëzor”, ka përfunduar ai.

Sot në media është raportuar se Rexhep Selimi në dhjetor të vitit të kaluar kishte kërkuar pas intervistimit në Hagë siguri të lartë nga ndërkombëtarët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara