Sekretari i NATO-s: Askush nuk ka të drejtë të diktojë zgjidhje për Kosovën e Serbinë

23:48 | 23 Qershor 2020

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerëson se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë mund të fillojë me takimin që në Shtëpinë e Bardhë do ta mbajnë presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

Stoltenberg ka dhënë një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës lidhur me takimin në Uashington.

“Vuçiqi dhe Thaçi këtë herë mund të përqendrohen në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të përbashkët politike”, ka shkruar Stoltenberg.

Ai ka përkujtuar angazhimin e gjatë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga ndalja e dy luftërave, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, e deri te misioni aktual i KFOR-it, që po zgjatë mbi dy dekada.

“Personalisht kam vizituar Serbinë disa herë. Në fakt kemi mbajtur ushtrime të përbashkëta të mbrojtjes civile. Por askush nuk ka të drejtë të diktojë zgjidhje, as NATO e as ndonjë vend tjetër apo organizatë”.

Shefi i NATO-s ka shpresë që takimi në Uashington do të jetë hapi i parë drejt marrëveshjes. Mungesa e Bashkimit Evropian në bisedimet në Uashington, nuk është problem për NATO-n.

“I ofrojmë mbështetje dialogut të organizuar nga BE, ashtu si të gjitha përpjekjeve tjera në drejtim të afrimit të Beogradit dhe Prishtinës. Jam fuqishëm i bindur se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian dinë si të koordinojnë përpjekjet e tyre në këtë fushë”, ka theksuar Stoltenberg.

“Vetëm Beogradi dhe Prishtina mund të prodhojnë rezultatin që dëshirojnë. Askush nga anash nuk mundet e as që duhet të imponojë atë. Roli i SHBA-së dhe BE-së është që të ofrohet përkrahje ndaj një procesi reciprokisht të pranueshëm, që mund të dërgojë te marrëveshja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara