Rreth 80 persona nga Kosova besohet se janë ende në Siri

20:00 | 29 Tetor 2020

Instituti për Siguri dhe Integrim nga Prishtina që merret kryesisht me shtetasit e Kosovës të kthyer nga Siria, thotë se më pak se 100 persona nga Kosova, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë, ende vazhdojnë të qëndrojnë në kampe të ndryshme të Sirisë.

Institucionet e Kosovës, ndërkaq, nuk japin informata se çka është duke u ndërmarrë për kthimin e shtetasve të Kosovës nga Siria.

Vitin e kaluar, për kthimin e kosovarëve nga Siria, ka qenë e përfshirë edhe Ministria e Drejtësisë, kurse tani përgjegjësia ka kaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Ministri i Punëve të Brendshme është koordinator nacional kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Mendoj se ata i kanë numrat e saktë dhe mund të informoheni më në detaje. Tash veprimet të cila janë duke u ndërmarr apo do të ndërmerren, mendoj se adresë më kompetente është Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë, Selim Selimi, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Nga Ministria e Brendshme, megjithatë nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë proces.

Sipas autoriteteve në Kosovë, prej fillimit të luftës në vitin 2012, në Siri kanë shkuar rreth 400 kosovarë duke u rreshtuar krah grupit militant, Shteti Islamik.

Gjatë kësaj periudhe, nga viti 2012 më shumë se 100 persona nga Kosova është thënë se janë vrarë në vatra të luftës.

Më 19 prill të vitit 2019, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Kosova ka kthyer 110 qytetarë të saj nga Siria duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë të huaj. Është thënë se edhe 87 persona mbesin ende në Siri, apo rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Qeveria e Kosovës, pas kthimit të grupit të parë nuk ka konfirmuar nëse ka plane për një operacion të ri të riatdhesimit të kosovarëve të mbetur në territorin sirian.

Qeveria e Kosovës ka Strategjinë Shtetërore kundër Terrorizmit me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave terroriste.

Përmes veprimeve që dalin nga ky dokument, Qeveria ka për synim kundërshtimin dhe luftimin e ideologjive ekstremiste apo radikale, si dhe parandalimin e aktiviteteve terroriste.

Në kuadër të kësaj strategjie dhe programeve për deradikalizim, në vitin 2018 Qeveria e Kosovës ka filluar programin për deradikalizimin nëpër burgje, ku kryesisht punohet me të burgosur që kishin qenë pjesë e organizatave terroriste, siç është grupi militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Lajmet më të lexuara