Rinisja e qarkullimit të trafikut urban ka lehtësuar jetën e qytetarëve të kryeqytetit

10:38 | 23 Maj 2020

Pandemia e koronavirusit ka kapluar botën, e që nuk la pa prekur edhe Kosovën, e cila pati humbje të madhe financiare. Pas pothuajse dy muaj qëndrimi në vetizolim, vendi gradualisht nisi të hapej, duke lejuar rinisjen e disa bizneseve, të nevojshëm për rimëkëmbje ekonomike.

E gjithë kjo u lejua nga Ministria e Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Transporti urban është njëra nga kategoritë e cila filloi punën më 18 maj, në fazën e dytë të lehtësimit të masave. Qarkullimi i autobusëve urbanë ka lehtësuar jetën e qytetarëve të kryeqytetit, gjithmonë duke qenë të vetëdijshëm për pajisjet mbrojtëse.

Njëri nga udhëtarët e linjës 4 të trafikut urban në Prishtinë ka thënë se nuk ka bërë dalje të shpeshta dhe se është munduar çdoherë t’i përmbahet orarit të lejuar për lëvizje.

“Rrallëherë dal, po mundohem t’i përshtatem orarit. Unë në Prishtinë sen s’po shoh të mirë, përveç autobusëve, po ka qarkullim të shpeshte të tyre”, thotë një qytetar prishtinas, ndërsa thekson se e kanë të vështirë autobusët të funksionojnë në këtë formë me nga 15 udhëtarë.

“Nuk kom dal me shëtit por për do sene, i kom ble në Pazar. Më duket më mirë që në autobus po mbahet distanca por, a kanë hesap të punojnë me 15 veta? Problem për ta, e kanë idare”, shtoi ai.

Një qytetar tjetër i linjës 3 të trafikut urban u shpreh se nuk ia ka frikën fare koronavirusit. Tha se nuk ka bartur as maskë e as doreza gjatë kësaj kohe.

“Kurrë s’jam frikësuar, kurrë s’kam qëndruar në izolim, krejt kohën kam qarkulluar. Masat mbrojtëse si kisha përdorë hiç, por e vrava një sy pak me ‘brusalicë’ tu pre e te mjeku u dashke me pas maskën se nuk po më duhet”, u shpreh ai.

E për distancën sociale në autobus, ky qytetar tha se nuk e preferon shumë pasi që më shumë e pëlqen kallaballëkun dhe se i mungojnë edhe kafenetë e kryeqytetit.

“Distanca në autobus nuk po më pëlqen, më mirë në kallaballëk. Rrinë në këmbë nëse s’ke ku m’u ulë. Ma së shumti po më mungojnë kafeteritë që janë mbyllur, s’ki ku del qetash”, deklaroi ai.

Ndërkaq, shoferi i kësaj linje ka thënë për “Zërin” se qytetarët janë treguar të vëmendshëm sa i përket mjeteve mbrojtëse por në rast të mosbartjes së këtyre mjeteve, maskave dhe dorezave, ai tha se nuk u lejohet të udhëtojnë me autobus.

“Qytetarët po iu përmbahen rregullave që i ka bo ministria e Shëndetësisë. Nuk është e lejuar me hy pa maska. Ka edhe nga ata të cilët tentojnë të hyjnë pa maska, mirëpo ne nuk e hapin derën ose nuk e lejojmë me hip pa maskë. Nuk ka ndodh mu ngatërrua me dikon nëse se kena lejuar me hip pa mjete mbrojtëse, kanë qenë të vetëdijesuar. Na nuk jena mësu me pas pak udhëtarë, jena mësu me pas zakonisht ma shumë, por tash pandemia e bon të veten. Edhe kështu nuk është keq”, theksoi ai.

Në transportin urban këto ditë është e lejuar që të udhëtojnë njëkohësisht vetëm në 20 persona në një autobus.

“E lejume është deri në 20 udhëtarë. Kur nuk ka më vend, ndalemi në stacion nëse ka me zbrit, nëse nuk ka, vetëm vazhdojmë, dmth pa u liru ndonjë karrige nuk e hapim derën për me hy tjetërkush. Në këmbë janë të lejuar vetëm dy persona, është vendi i shënuar, por zakonisht s’po ka nevojë sepse po ka mjaft karriga”, ka përfunduar ai.

Më 13 mars në Kosovë u shënuan rastet e para me koronavirus, ndërsa sot vendi numëron 1025 të infektuar dhe 29 të vdekur. Nga ta, 782 janë shëruar. /Zëri

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara