Realizohet ëndrra e artistëve mitrovicas, Teatri “Muharrem Qena” bëhet teatër rezident

09:04 | 25 Tetor 2020 | Vlora Selimi

Teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë, pas një kohe të gjatë, ka arritur të fitojë statusin e teatrit rezident.

Ky teatër nga tash e tutje do t’i ketë 10 aktorë rezidentë, një buxhet më të madh dhe më shumë shfaqje për adhuruesit e teatrit.

Për të arritur deri këtu, artistët mitrovicas kanë bërë një punë të madhe.

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë i shumë artistëve për të arritur deri në këtë status”.

Kështu e nis rrëfimin ushtruesi i detyrës së Teatrit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, kur flet për rrugëtimin e këtij teatri deri në marrjen e statusit si teatër rezident.

Me të marr këtë status, ky teatër ka filluar edhe punën e tij.

Deri më tash, sipas Sheremetit, është formuar ansambli i aktorëve të përhershëm.

“Ka qenë një rrugëtim bukur i gjatë i atyre që kanë kontribuar para nesh nga paralufta e pas lufte. Kemi pasur një staf të limituar deri tash. Tetari deri tash ka pas vetëm tre të punësuar. Tash nga data 1 tetor kanë filluar punën e rregullt 10 aktorë që janë në ansamblin rezident të teatrit”, është shprehur ai për arbresh.info.

Gjërat ngadalë po marrin drejtimin e duhur për Teatrin e Mitrovicës.

Një surprizë e mirë për punëtorët e këtij teatri, këtë vit, sipas Sheremetit, është edhe ndarja e buxhetit.

Ai, për arbresh.info tregon se tashmë kanë nisur të bëhen edhe shfaqjet e para me aktorët rezident. Sheremeti, thotë se është i kënaqur me interesimin e qytetarëve mitrovicasve për të parë shfaqjet e artistëve të këtij teatri.

“Në program të teatrit janë edhe dy shfaqje, tash kemi pasur një të tillë. Interesimi i shikuesve është i kënaqshëm. Deri tash kemi pasur një buxhet shumë të vogël dhe kemi pas problem edhe me shfaqje, këtë vit buxheti është rritur dhe do të na ndihmojë të punojmë më shumë. Me buxhet të këtij viti jemi të kënaqur. Tashmë kemi në dispozicion buxhet rreth 68 mijë euro dhe më këtë do të mund ti realizojmë diku rreth tri apo katër shfaqje”, tha tutje ai.

Megjithatë, ky teatër ende nuk e ka një objekt të vetin. Ai pse ka fituar statusin e teatrit rezident, ky teatër ende nuk ka një objekt rezident.

Kjo, sipas Sheremetit do të jetë problem për stafin, i cili pritet të rritet në vazhdimësi.

“Ne jemi në objekt të Qendrës së Kulturës dhe teatri ka nevojë të ketë një objekt të vetin, pasi këtë vit pas statusit, do të shtojmë edhe numrin e stafit dhe këtu nuk do kemi hapësirë të mjaftueshme. S’ka zhveshtore e as dhoma të tjera. Do të kërkojmë që të gjejmë ndonjë donacion për ndërtimin e objektit të ri”, pohon Sheremeti.

Me dashuri flet për punën e re që me vrull ka filluar të ndërtojë hapat e parë si teatër i mirëfilltë, ushtruesi i detyrës së drejtorit, Sabit Sheremeti, thotë se pandemia i ka prekur edhe artistët si çdo sektor tjetër.

“Pandemia ka ndikuar edhe tek ne, pasi që aktivitetet kanë qenë të ndaluara dhe ne s’kemi mundur të fillojmë me shfaqje deri tash. Hyrja për shfaqje ka qenë pa pagesë deri tash edhe gjatë këtij viti mendojmë që shfaqjet të jepen falas për publikun”, u shpreh ai.

Ndryshe, ky teatër nga viti i kaluar mbanë emrin e njërit nga artistëve më të mëdhenj, jo vetëm të këtij qyteti, por edhe në nivel vendi, “Muharrem Qena”.

Qena ishte njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare.

Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale. /V. Selimi/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara