Rasti “Syri i Popullit”, i akuzuari Sadri Rmabaja: Rasti ndaj meje është i montuar dhe hakmarrje politike

14:21 | 3 Korrik 2019 | Elmedina Ballazhi

Ka nisur seanca gjyqësore në rastin “Syri i Popullit” kundër dhjetë të akuzuarve: Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, Murat Jashari si dhe Rexhep Topllana. Gjatë kësaj seance po bëhet mbrojtja e të akuzuarve.

Mbrojtjen e tij ka nisur i akuzuari, Sadri Ramabaja.  Mirëpo para se Ramabaja të niste mbrojtjen e tij, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi mori vendim që të gjithë të akuzuarit tjerë të largohen nga salla.

I akuzuari Ramabaja akuzat ndaj tij i quajti të montuara dhe politike.

“Unë e trajtoj këtë proces si tërësisht të montuar dhe hakmarrje e pastër politike”, u shpreh ai.

Deri sa përgjigjej në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ramiz Krasniqi,  Ramabaja tha se nuk e ka kuptuar pse ishte arrestuar.

Ai tha se vetëm kishte supozuar.

Ramabaja u shpreh se për plagosjen e avokatit Azem Vllasi kishte dëgjuar në media dhe gjatë gjithë kohës deri sa ishte arrestuar ka qenë në Kosovë.

“Fare lehtë do të arratohesha prej marsit deri në tetor”’ u shpreh ai.

Ramabaja tha se para se të merrej në pyetje nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha e kishte lakuar emrin e tij dhe siç pretendon ai për këtë prokurori Syla i është hakmarrë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 shkurt 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari ta vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017 e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12:00 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “Hakmarrje në ndihmë” nga Neni 396 i KPRK-së. Llumnica sipas kësaj aktakuze sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më 16 maj 2017, thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z., duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral.

Sipas akuzës, Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Llumnica akuzohet për veprën penale “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së. Të pandehurve: Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që t’i destabilizonin ose t’i shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit e Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara, thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar, i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste” ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 i KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara