Rashiq nga koalicioni: Lista Serbe u mbështet nga Beogradi dhe Prishtina zyrtare

07:57 | 13 Shtator 2019

Nenad Rashiq nga koalicioni “Sloboda” ka treguar se pse është krijuar ky koalicion që tash përfaqëson serbët e Kosovës – përpos Listës Serbe.

Ai në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se kjo ide ka ekzistuar edhe më herët, por nuk është realizuar për shkak të monopolit agresiv që e ka pasë Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi dhe Prishtina zyrtare.

“Nuk është një revolucion që e kemi bërë tani. Kjo ide ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2017 kur e kemi parë për fat të keq që Lista Serbe si opsion më i fuqishëm politik thjesht ka pasë mbështetjen dhe ndihmën e të gjithëve, jo vetëm të Beogradit zyrtar, por edhe të atij jozyrtar”.

“Për fat të keq, ka pasë edhe mbështetjen e Prishtinës zyrtare përkatësisht të institucioneve. Për dëshpërimin tim të madh, në vitin 2014 dhe 2017, pak a shumë i ka lejuar të gjitha mekanizmat që të jenë në dispozicion pikërisht të Listës Serbe”.

“Unë në të dyja rastet i kam lutur përfaqësuesit më të lartë të institucioneve që mos ta bëjnë këtë sepse do ta krijonte një monopol agresiv që do të ishte vështirë të kthehej”.

“Në një moment kur Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në vitin 2013, po të kishte qenë një fitore rajonale, unë atëherë kam thënë që kjo është gjëja më e rrezikshme që është bërë sepse nuk mundeni nga një njeri që 25 vjet ishte radikal të kërkoni demokraci”.

“Ky radikalizëm është manifestuar përmes thirrjeve, porosive dhe kërcënimeve publike që vijnë nga partia më e madhe në Beograd dhe është reflektuar përmes të gjitha mekanizmave të Listës Serbe në qytetarët e Kosovës”.

Por, pse ky koalicion që po shihet si rival i Listës Serbe është emëruar “Sloboda” që në gjuhën shqipe e ka kuptimin “Liri”?

“Ne këtë organizim tonin e kemi quajtuar me një emërtim simbolik që është liria – në kuptimin e plotë të fjalës liria e shprehjes, veprimit politik dhe liria e popullit sepse ne jemi të uzurpuar”.

Rashiq ka treguar edhe se kush është pjesë e koalicionit “Sloboda’”.

“Për shkak të aspektit të kornizës ligjore ne kemi bërë koalicion të dy partive, partia ime Partia Progresive Demokratike dhe Partia e Re e Kosovës. Por, krahas këtyre dy partive kemi pjesëtarë të dy nismave qytetare që janë në pjesën teknike organizative dhe natyrisht edhe njerëz që e kanë dëshmuar punën e tyre në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, si Sllavisha Petkoviq dhe Rada Trajkoviq”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara