Qytetarët kundër shtrenjtimit të parkingjeve publike, thonë se është vendim i gabuar dhe në dëm të tyre

20:02 | 8 Nëntor 2019

Nga janari i vitit 2020, qytetarët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për parkingjet në kryeqytet.

Rregullat e reja parashihet të eliminojnë kolonat dhe tollovinë në komunikacionet.

Por, qytetarët që i shfrytëzojnë këto parkingje nuk po e mirëpresin këtë vendim të Komunës së Prishtinë.

Ata thonë se para se Komuna ta bëjë këtë duhet të sigurojë parkingje të mjaftueshme.

Qytetari Albert Maloku, që është shfrytëzues i parkingut afër “Pallatit të Rinisë”, në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se çmimet duhet të përshtaten me kushtet ekonomike dhe bazuar në të ardhurat e qytetarëve.

“Me u shtrejtu le të shtrenjtohen, por ka parkingje gjithkund në Evropë edhe në botë dhe parkingu paguhet. Unë po e shoh në këtë parking, e lë rregullisht veturën dhe është shumë lirë 50 cent edhe mundesh me lënë këtu sa të duash. Shtrenjtimi me qenë në bazë të kushteve që kemi, mos me qenë shumë të larta dhe është mirë se lirohet komunikacioni”, tha ai.

Një qytetar tjetër, Bajram Ilazi thotë se ky vendim i Komunës është i gabuar pasi duhet të sigurohen fillimisht parkingje të mjaftueshme. Ai shtrenjtimin e kundërshton duke vlerësuar se tani çmimet janë të shtrenjta për qytetarët.

“Vendim i gabuar sepse mendoj që Komuna e Prishtinës duhet me siguru së pari herë parkingje më shumë e pastaj me mendu për çmimin e saj, që edhe ashtu parkingjet në Prishtinë janë shumë shtrenjtë sepse shumica e parkingjeve janë diku 1 euro ora ose 2 euro 4 orë, është shumë shenjt për qytetarët e Kosovës duke u bazuar në kushtet ekonomike që i kemi, mendoj që është vendim i gabuar dhe në dëm të qytetarëve”, u shpreh ai.

Ekonomia Online ka provuar të marrë një prononcim nga Drejtorin për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm,Genc Bashota, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Sot, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në Facebook ka treguar se do të vendosen rregulla të reja që nga janari i vitit të ardhshëm për kryeqytetin.

Ahmeti ka njoftuar se prej vitit të ardhshëm, parkingu publik do të jetë i kufizuar 2 orë për ata që nuk janë banorë të lagjeve dhe se parkimi në qendër do të jetë më i shtrenjtë.

“Mbi 100 mije makina hyjnë në Prishtinë në rrugët hyrëse gjatë ditës. Rrugët e ngushta të cilat nuk lejojnë zgjerim nuk mund të përballojnë këtë sasi të automjeteve. Kohët më të ndishme janë mëngjesi për shkak të njerëzve që vijnë në punë dhe prej orej 16 – 18 kur largohen nga Prishtina. Unaza e qytetit do ta shkarkojë një pjesë të makinave që hyjnë tranzit por problemi kryesor mbetet numri i madh i makinave që hyjnë. Prej janarit 2020, Parkingu publik do të jetë i kufizuar 2 orë për ata që nuk janë banorë të lagjeve, prandaj ata që parkohen në qendër duhet të mendojnë më herët se ku do ta lënë makinën. Po ashtu, parkimi në qendër do të jetë më i shtrenjtë”, thuhet ndër të tjera në statusin e Ahmetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara