QKMF-ja në protestë, punëtorët ankohen se janë kërcënuar nga drejtoresha dhe djali i saj

17:29 | 17 Mars 2015

Dhjetëra punëtorë shëndetësorë të Qendrës Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, kanë protestuar të martën për gjysmë ore para ndërtesës së kësaj Qendre, siç u shprehën ata, kundër kërcënimeve ndaj tyre dhe drejtorit të QKMF-së, të cilat janë bërë nga ana e drejtoreshës së Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, Nexharije Pllana dhe djalit të saj.

Sipas tyre, djali i drejtoreshës së shëndetësisë në Mitrovicë, ka hyrë të hënën në zyrën e drejtorit të QKMF-së, Fevzi Sylejmani, duke kërkuar nga ai dorëheqje të menjëhershme dhe duke sharë e ofenduar në mënyrën më poshtëruese të mundshme.

Veton Ibrahimi, kryeinfermier ka bërë të ditur për Kosovapress se drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, është kërcënuar të hënën nga djali i drejtoreshës së shëndetësisë së Mitrovicës.

Ai tha se përveç asaj që ka ndodhur të hënën, pothuajse situatë e njëjtë ka ndodhur edhe të martën nga ana e vetë drejtoreshës së shëndetësisë, Nexharije Pllana.

“Dje ka ardhur një djalë i ri, emrin e të cilit nuk e di, por që punon në arsim, dhe për të cilin më vonë kemi kuptuar se është djali i drejtoreshës Pllana, dhe ka kërkuar nga drejtori ynë Fevzi Sylejmani dorëheqje, duke e ofenduar dhe sharë në mënyrën më poshtëruese. Pastaj sot ka ardhur drejtoresha Nexharije Pllana, e cila ka kërcënuar shefat e reparteve me largim nga puna nëse protestojmë kundër saj”, ka thënë Ibrahimi.

Ai konsideron se protestat janë e drejtë e secilit punëtor për të shprehur pakënaqësitë, ndërsa tha se punëtorët e kësaj Qendre po ndjehen të kërcënuar nga njerëz të tillë, duke mos përjashtuar mundësinë se ditët në vijim secili prej tyre mund të përjetojë situata të tilla të pakëndshme.

Sipas tij, të dy rastet janë denoncuar në polici dhe punëtorët e kësaj Qendre presin nga organet gjegjëse të merren masa të menjëhershme ndaj drejtoreshës dhe djalit të saj.

I kontaktuar nga Kosovapress, edhe drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, ka pranuar se është kërcënuar nga djali i drejtoreshës Pllana, duke thënë se ka kontratë për postin e drejtorit deri më 2016 dhe as që i shkon mendja të jap dorëheqje.

“Nuk kam fjalë të përshkruaj kërcënimet dhe ofendimet të cilat më janë bërë dje nga djali i drejtoreshës së shëndetësisë, me qëllimin për të më detyruar të jap dorëheqje. Drejtoresha Pllana nuk ka qenë sot në zyrën time, por ka dëshmitarë që dëshmojnë se ka kërcënuar punëtorët me largim nga puna nëse protestohet kundër saj. Unë kam kontratë deri në vitin 2016 dhe as që më shkon mendja të jap dorëheqje”, ka thënë Sylejmani.

Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Nexharije Pllana, ka mohuar akuzat e këtyre punëtorëve, duke i quajtur ato si të pavërteta.

“Absolutisht nuk është e vërtetë se kam kërcënuar. Drejtori i QKMF-së Fevzi Sylejmani, ka ofruar para një jave vet dorëheqjen e tij para kryetarit të komunës, me arsyetimin se nuk po mundet më të udhëheqë me institucionin. Unë kam rrahur shuplaka dhe i kam thënë bravo, si dhe vetëm kam kërkuar nga ai ta sjellë dorëheqjen me shkrim. Ai pastaj mes tjerash ka thënë se nuk mundet thjeshtë me më pas mua drejtoreshë dhe kjo është e tëra, asgjë tjetër”, është shprehur për Kosovapress Pllana, duke mohuar se ka ndonjë gjë personale me drejtorin Sylejmani.

Mirëpo, drejtori Sylejmani ka mohuar se ka qenë te kryetari i komunës për të ofruar dorëheqjen e tij.

“Është e vërtetë se kam qenë te kryetari për një çështje krejtësisht private dhe as që është diskutuar dorëheqja ime”, tha ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi se të hënën është iniciuar një rast i kanosjes ndaj drejtorit të QKMF-së, Fevzi Sylejmani.

Sipas tij, në bazë të dëshmitarëve, hetuesit kanë gjetur elemente të veprës së kanosjes dhe janë duke punuar në atë drejtim, ndërsa për kërcënimet e sotme tha se deri tani nuk ka asgjë që ndërlidhet me rastin.

“I dyshuari për kërcënimet e djeshme është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Zahiti, pa dhënë emrin e të dyshuarit. /Kosovapress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara