Qeverisë së re i kërkohet ndalja e seminareve që bëhen jashtë vendit veç për mëditje

18:16 | 29 Nëntor 2019

Qeveria e Ramush Haradinajt përveç taksës dhe kundërshtisë për korrigjim të kufijve, do të mbahet mend edhe për skandalin me 53 milionët e Bechtelit, numrin enorm të ministrave e zëvendësministrave dhe për milionat e harxhuara në udhëtime jashtë vendit, për dreka e darka.

Për këtë çështje në  maj të vitit 2018, Auditori i Përgjithshëm i kishte rekomanduar qeverisë së Ramush Haradinajt që të rishikojë kornizën ligjore për udhëtime zyrtare, pasi që kishte konstatuar që paraja publike nuk po menaxhohet në mënyrë të rregullt, të shëndoshej dhe të mirëfilltë.

“Auditori i Përgjithshëm, në shkresën e tij, thekson se gjatë punës audituese është vërejtur se Udhëzuesi nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe si i tillë nuk kontribuon në menaxhimin e rregullt, të shëndoshë dhe të mirëfilltë të parasë publike. Duke marrë në konsideratë këto çështje Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar që të rishikohet e tërë korniza ligjore që ka të bëjë me shpenzimet për udhëtimet zyrtare dhe të azhurnohet për të përmbushur kërkesat e kuadrit të ri ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Zyrës Kombëtare të Audimit, shkruan Gazeta Express.

Nga Auditori i Përgjithshëm madje ishin shprehur të gatshëm që të japin rekomandime për Qeverinë Haradinaj në shërbim të përmirësimit të qeverisjes dhe rritjes së besueshmërisë në shpenzimin e parave të taksapaguesve kosovarë.

E këtë thirrje të Auditorit e ka sjellë në kujtesë ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, derisa dita ditës pritet që arrihet koalicioni në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të krijuar qeverinë e re.

“Zyra Kombëtare e Auditimit kishte paralajmëruar që udhëtimet e qeverisë së Kosovës ishin të panevojshme dhe të kota. Donatorët janë zotuar që nuk do të financojnë udhëtime për punë të llojit të hartimit të strategjive dhe seancave të shkrimit, të cilat mund të bëhen lehtësisht edhe në Kosovë. A do ta bëjë edhe qeveria e re të njëjtën gjë ?” , është pyetja që ka shtruar në ‘twitter’ ambasadori Kosnett.

Lajmet më të lexuara