Qalaj: Kemi shkatërruar grupe kriminale që kanë grabitur, e që ishin shumë të organizuara

15:22 | 17 Prill 2019

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka folur për sigurinë nacionale në vend, grabitjet e bankave, rastet e aksidenteve, vjedhjet në vend si dhe reformat që ky institucion po realizon brenda tij.

Qalaj tha se numri i aksidenteve të përgjithshme të trafikut është në rënie, ndërsa numri i aksidenteve me fatalitet është në rritje.

Sipas tij, në terren nuk është gjendja e mirë edhe sa i përket kulturës së vozitjes dhe asaj në trafik në përgjithësi, jo vetëm të automjeteve por edhe të këmbësorëve.

“Numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut është në rënie në krahasim me vitet e kaluara, mirëpo njëjtë nuk mund të themi edhe për aksidentet e trafikut me fatalitet, sidomos këta tre muajt e fundit kemi një rritje të numrit të këtyre aksidenteve, ku si pasoj kemi pasur humbje të jetëve të qytetarëve tanë. Nuk mund të shpjegohet ky fenomen me anë të statistikave. Nuk e kemi një gjendje të mirë sa i përket kulturës së vozitjes dhe kulturës në trafik në përgjithësi, jo vetëm të automjeteve por edhe të këmbësorëve. Duhet të bëjmë shumë si shoqëri që këtë fenomen dhe gjendjen në trafik ta trajtojmë duke pasur një gjendje më të mirë”, ka thënë Qalaj në një intervistë për Telegrafin.

Ai theksoi se Policia e Kosovës si e vetme me anë të politikës së gjobitjes nuk mund të ndikoj shumë në terren.

“Duhet të ndikojnë shumë dhe ministritë përkatëse…Kemi raste me fatalitete në rrugë dytësore sidomos prej Shtimes në Suharekë që janë ripërsëritur dy aksidente të njëjta. Mungojnë radarët statikë, blicat për kundërvajtjet, duhet të ashpërsohet marrja e patentë shoferëve”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, u shpreh se rastet e grabitjeve nëpër bankat komercial dhe biznese të ndryshme kanë ndodhur dhe më herët, mirëpo sipas tij nuk ka pasur raportim kaq të madh mediatik.

Siç tha Qalaj, situatë shqetësuese të grabitjeve Policia e Kosovës ka pasur vitin e kaluar.

“Çështja e grabitjeve që ka ndodhur në bankat komerciale dhe nëpër biznese të ndryshme por edhe nëpër shtëpi kanë ndodh dhe më herët por nuk janë raportuar nga mediat kaq shumë si tash. Ka pasur dhe grabitje në të kaluarën por nuk ka qenë një gjendje e përparuar e mediave sa tash. Situatë shqetësuese kemi pasur vitin e kaluar krahasuar me tash”, tha ai.

Qalaj deklaroi se kanë shkatërruar disa grupe kriminale, ku ka pasur dhe individ nga Shqipëria.

“Grupet kriminale që grabisin janë mjaft mirë të organizuar. Kemi raste kur është arrestuar një grup kriminal dhe kanë pranuar disa raste te grabitjeve. Edhe numri i vjedhjeve është në rënie mjaft të madhe”, tha ndër të tjera, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Shpërndaje në rrjete sociale