Pse shumë burra në Kosovë “i braktisin” gratë kur ato i sjellin foshnjet në jetë

19:06 | 27 Qershor 2019

Të vetme i përjetojnë gjithë dhimbjet e lindjes. Pranë vetes nuk i kanë as bashkëshortët që së paku t’ua mbajnë duart. Atyre nuk u lejohet prania në shumicën e spitaleve në vend, derisa ka edhe raste që ata nuk dëshirojnë të jenë të pranishëm.

Në Spitale deklarojnë se arsyeja pse nuk lejohet prania e baballarëve gjatë lindjes është cenimi i privatësisë së pacientëve të tjerë.

Për Dritonin nga Gjakova, 2 qershori i 2014’ës do të mbetet ditë e paharruar. Mëngjesin e po asaj dite, ai u bë baba për herë të parë.

Bashkëshortja e tij lindi një vajzë, derisa gjatë gjithë procesit përkrah saj kishte qëndruar edhe Dritoni.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë vite nga ajo ditë, ai e kujton në detaje se si kishte shkuar i gjithë procesi i lindjes. Ende i mbushen sytë me lot kur e kujton momentin që e kishte marrë në krah vajzën për herë të parë dhe i kishte dëgjuar të qarat e saj.

“Nuk mundem me harru asnjëherë atë ditë. Tepër vështirë ka qenë, por që kam dashtë me qenë pranë bashkëshortes në ato momente të vështira. Kam qenë njeri ma i lumtur në botë, kur e pata dëgju tu qajt për herë të parë e pata marrë në krah”, tregon Dritoni.

Mundësinë që të qëndroi pranë bashkëshortes gjatë lindjes, atij ia ofroi Spitali Regjional i Gjakovës “Isa Grezda”, spital i cili i mundëson praninë në sallë çdo prindi.

Drejtori i këtij spitali, Ahmet Asllani i ka thënë  se kërkesat për të qenë të pranishëm gjatë lindjes u miratohen gjithë baballarëve.

“Po, në Spitalin e Gjakovës lejohet prania e baballarëve në sallë gjatë lindjes. Ka qenë edhe një udhëzim administrativ që ua ka leju praninë në sallë, por që edhe tash u lejohet. Mjafton që me u ba kërkesa edhe iu lejohet. Askush s’mundet me thanë që s’ua kemi leju. Edhe sipas rregulloreve, nana ka të drejtë me pas një shoqëruese gjatë lindjes”, ka thënë Asllani.

Por, jo të gjithë baballarët e kanë fatin e Dritonit. Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale në vend, atyre nuk u lejohet prania gjatë lindjes.

Drejtori i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, Jakup Ismajli i ka thënë se në sallën e lindjes nuk lejohet hyrja e asnjë personi tjetër që nuk është pacient apo staf.

Ismajli thotë se pak baballarë kërkojnë që të jenë të pranishëm në lindjen e fëmijëve, derisa tregon se në shumicën e rasteve ata dëshirojnë që t’i shohin bashkëshortet vetëm pas lindjes.

“Në Sallën e lindjes nuk lejohet hyrja e asnjë personi tjetër që nuk është pacient apo staf. Pra për tu përgjigjur juve, nuk u lejohet as bashkëshortëve. Mund të themi që janë kërkesa sporadike, me shpesh ndodhë që kërkojnë të shohin pasi që të ketë ndodhur lindja. Në shumicën e këtyre kërkesave janë familjarët e tjerë dhe jo bashkëshorti që insistojnë me shume për të parë pacienten”, tregon Ismajli.

E arsyeja se pse bashkëshortëve nuk iu lejohet që të jenë të pranishëm gjatë procesit të lindjes së fëmijëve të tyre po del të jetë privatësia e pacientëve të tjerë.

Deklaron se prania e bashkëshortit gjatë lindjes është barrë shtesë, dhe përderisa ata kanë deri në 30 lindje gjatë një ditë, një organizim i tillë është i pamundur.

“Aspekti infrastruktural, pra renditja e dhomave në sallën e Lindjes nuk mundëson që bashkëshortët të kenë qasje pa cenuar privatësinë e pacienteve tjera. Këtu pastaj edhe faktori i resurseve humane, besoj qe e dini për kapacitet tona në numër jo të kënaqshëm të stafit të mesëm, prania e bashkëshortit është barre shtesë që duhet kujdes edhe ndaj tij. Organizimi i tillë, kur gjatë një dite kemi deri 30 lindje është gati i pamundur”, tregon Ismajli.

Por, Drejtor i Klinikes Obstetrike Gjinekologjike shpreson që në të ardhmen t’iu ofrohet një mundësi e tillë gjithë baballarëve të rinj.

“Dëshiroj të shtoj që në Obstetrikën moderne prania e bashkëshortit gjatë lindjes është ndihmese e madhe për mjekun Obstetër dhe maminë, shpresojmë që në të ardhmen të mund ti ofrojmë këtë mundësi baballarëve te rijnë”, thuhet në përgjigjet e Ismajlit drejtuar.

Prania e baballarëve në sallën e lindjes nuk aplikohet as në Spitalin e Pejës.

Zyrtari për Informim në Spitalin e Pejës, Naim Sahiti i ka thënë se ata nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për këtë çështje.

“Kjo praktik në Spitalin e Përgjithshëm nuk aplikohet. Nuk ka pasur asnjë kërkesë që është refuzuar, por thjeshtë nuk ka pasur as kërkesa”, tregon Sahiti.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në spitalet e tjera të vendit për të marrë informacione nëse aplikohet një praktikë e tillë, por që deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, sociologët thonë se baballarëve duhet të iu lejohet hyrja në sallat e lindjes.

Sociologu Leutrim Sahiti i ka thënë  se është e drejtë e çdo prindi që të jetë prezent kur fëmija i tij vjen në jetë.

“Sigurisht që po. Është e drejtë e tyre që të jenë prezent dhe nuk duhet që të këtë pengesa të tilla. Baballarët duhet të jenë afër grave të tyre, për të qëndruar afër dhe për të pritur ne jetë fëmijën e tyre”, thotë Sahiti,

Ndërkohë për mungesën e kërkesave të tilla, Sahiti e lidh me mentalitetin patriarkal.

“Është çështje e mentalitetit tonë patriarkal, dhe kjo po përcillet ende gjeneratë pas gjenerate, me tendenca të reduktimit të kësaj praktike që nuk përkon me kohën dhe rrethanat kulturore që kemi sot. Pra kanë filluar edhe në spitalet tona sikurse në vendet e perëndimit që babai të jetë afër gruas në procesin e lindjes”, thotë Sahiti.

Ndryshe, numri i lindjeve në vend po shënon rënie nga viti në vit.  Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 10 mijë lindje.

Faktorët kryesorë po del të jenë migrimi, planifikimi familjar dhe Ligji i lehonisë./Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara