Protestojnë pronarët e kiosqeve: Komuna përkrah klasën e milionerëve dhe po diskriminon fukarenjtë

10:22 | 19 Gusht 2019

Pronarë të kiosqeve në Prishtinë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie para Komunës së Prishtinës.

Kjo për shkak të konkursit të shpallur për kiosqe nga komuna për ndërrimin e këtyre kiosqeve me të reja duke mos diskutuar fare me pronarët dhe kushtet e reja që janë vënë për ta pasur një kioskë, raporton arbresh.info.

Sabedin Hasani përfaqësues i bizneseve të vogla në Komunën e Prishtinës para mediave tha se Komuna e Prishtinës po diskriminon bizneset e vogla në Prishtinë duke iu dhënë përparësi bizneseve të mëdha.

Ai e quan këtë si një luftë mes klasës milionere dhe fukarasë.

“Na jemi shfrytëzues të kioskave dhe po kërkojmë të drejtat tona. Komuna e Prishtinës ka shpall konkurs që është diskriminues për neve. Ata u hapin rrugë bizneseve të mëdha e jo neve”.

“70 persona mbesin pa punë me biznes të vogla dhe me këta kisha me thënë kjo është lufta e parë që po fillon në mes të klasës milionere dhe fukarasë”, tha ai.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës dy nga kushtet që duhet plotësuar për të marrë në shfrytëzim një kioskë janë që aplikuesi të ketë të hyra apo qarkullim prej 5 milionë eurosh ose më shumë në tri vitet e fundit dhe të ketë rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve (marketeve) në Komunën e Prishtinës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara