Programi për Reforma në Ekonomi ka prioritet punësimin

10:49 | 9 Korrik 2019 | Agnesa Çitaku

Të martën Ministria e Financave ka lansuar Programin për Reforma në Ekonomi 2020-2022. Ministri i Financave njëherit koordinator i Programit të Reformave në Ekonomi, Bedri Hamza, thotë se Kosova ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian.

“Në këtë proces institucionet kanë garë, punë të madhe. Vlerësimet nga Komisioni Evropian kanë qenë pozitive dhe dëshmohet se Kosova e kuptoi rëndësinë e qeverisjes ekonomike si një nga shtyllat kryesore si përgatitje në semestrin evropian”, deklaron ministri Hamza.

Ai kërkon nga ministritë që të ndihmojnë ne kalimin e barrierave të identifikuara nga KE, shkruan arbresh.info.

“I kemi dhënë prioritet aktivizimit ekonomik dhe punësimit sidomos te femrat dhe të rinjtë si dhe ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, por është e nevojshme që të bëhet prioritizimi i barrierave të identifikuara nga Komisioni Evropian. Kërkoj nga ministritë përgjegjëse që t’i kushtojnë përgjegjësinë e duhur”, shprehet ai.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, foli për dy nga rekomandimet e përmendura në Raportin për Vendin të Komisionit Evropian.

Ajo shton se Kosova duhet të punojë në energjinë e ripërtritshme dhe luftim të ekonomisë joformale.

Ndërsa Behxhet Haliti nga Departamenti për Politika Makroekonomike dhe Bashkëpunim Financiar Ndërkombëtar thotë se Kosova duhet të filloj zbatimin e rekomandimeve të KE-së.

“Zbatimi është fjala kyçe në këtë fazë duke iu referuar edhe udhëzuesit të Komisionit Evropian. Ekonomia e Kosovës përballet me sfida siç janë punësimi dhe shfrytëzimi i potencialeve të ripërtritshme të energjisë elektrike, e hapjen e plotë të tregut të energjisë”, deklaron Haliti.

Që nga viti 2015, të gjitha vendet kandidate të BE dhe kandidatët potencialë përgatisin Programe të Reformës Ekonomike (ERP).

ERP-të përgatisin vendet e zgjerimit për pjesëmarrjen e tyre në të ardhmen në koordinimin e politikave ekonomike të BE-së.

Ata gjithashtu luajnë një rol kyç në përmirësimin e planifikimit të politikave ekonomike dhe drejtimin e reformave për të mbështetur stabilitetin makroekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e kushteve për rritje gjithëpërfshirëse dhe krijimin e vendeve të punës.

ERP-të janë një element kyç i qasjes «bazat e para» në strategjinë e zgjerimit të BE. /arbresh.info/  (FOTO: Ruzhdi Pacolli)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara