Presidenca nuk do të zhvendoset të paktën edhe 15 muaj

16:00 | 8 Nëntor 2019

Ministria e Administratës Publike i ka dhënë afat optimal Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë që të fillojnë procedurat e zhvendosjes nga objekti ku janë aktualisht duke punuar  për t’ia lëshuar objektin Presidencës së Republikës së Kosovës.

Edhe pas kundërshtimeve të sindikatës së punëtorëve të këtyre dy ministrive, MAP është në pritje të lejes nga Komuna e Prishtinës për të filluar renovimin e objektit.

Sekretari i Përgjithshëm i MAP, Arton Berisha tha për arbresh.info se MAP do t’ju ofroj mbështetje dy ministrive për të bërë zhvendosjen në objektet që ata përzgjedhin.

“Mbi këtë bazë, është kërkuar nga ministritë të fillojnë procedurat e zhvendosjes në një afat optimal. Në këtë plan MAP-i do t’ju ofrojë përkrahje në bazë të kompetencave që ka ministrive me rastin e zhvendosjes dhe vendosjes në ndonjë nga ndërtesat që ato vet i përzgjedhin, sepse në objekte publike nuk ka hapësira”.

Sipas Berishës, meremetimi i objektit do të zgjas 11 deri 15 muaj kur të filloj punën.

“MAP-i nga Komuna  e Prishtinës ka marrë lejen për kushtet ndërtimore, dhe është në pritje për të marrë lejen finale. Në momentin kur të lirohet ndërtesa, MAP-i ndërmerr hapat për meremetim i cili konsiderohet se do të zgjas 11-15 muaj”, tha ai.

Edhe pse Sindikata e punëtorëve të MKRS dhe Bujqësisë thanë se renovimi do të kushtoj rreth 15 milionë euro, Ministria e Administratës Publike  nuk e di ende koston e saktë se sa do t’i kushtoj buxhetit të Kosovës ky ndryshim.

“Dihet se ndërtesa është e vjetër dhe paraprakisht nuk mund të thuhet se cila do të jetë kostoja, për faktin se mund të dalin edhe punë të paparashikuara”, thuhet në përgjigjën e Berishës.

Nga ana tjetër, Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë duke e kundërshtuar kërkesën e MAP për t’ia lëshuar objektin. Ata që disa ditë radhazi janë duke protestuar para objektit ku aktualisht ende janë duke punuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara