Pos strehimit në kamp, azilantët marrin ndihma të njëjta sociale me qytetarët e Kosovës

20:41 | 22 Nëntor 2020

Pos kushteve që u ofron kampi në Magure, azilantët marrin ndihmë sociale të njejtë me qytetarët e Kosovës

U janë dashur mijëra kilometra që të arrijnë deri në këtë kamp.

Por, të gjitha ato përpjekje nuk iu shkuan huq shumë të huajve që kërkuan azil në këtë qendër. Në Qendrën për azil në Magure të Lipjanit nuk u mungon asgjë.

Me një kapacitet prej 100 personash, kjo qendër për azilkërkues ofron një numër të madh të shërbimeve për ta.

Përveç këtyre shërbimeve që ofrohen falas për ta, në bashkëpunim me organizatat e ndërkombëtare, këta azilkërkues janë përfitues edhe të ndihmës sociale.

Madje, kjo ndihmë është e barasvlefshme me ndihmën sociale që e përfitojnë qytetarët e Kosovës, GazetaExpress.

Gjithashtu, këtyre azilkërkuesve iu garantohet edhe lëvizja e lirë. Ndërkohë, kjo qendër është e pajisur edhe me bibliotekë, e cila ofron shumë libra për lexim për ata që janë të interesuar.

E ngjitur me këtë sallë, është edhe një kënd i lojërave për fëmijë, ku e kalojnë kohën, sidomos kur moti është i ftohët.

Kjo qendër gjithashtu ka edhe kuzhinën e saj, si dhe një hapësirë ku mund të pastrohen rrobat e tyre.

Për secilën nga këto shërbime, janë të punësuar punëtor që kujdesen për ta.

Këtu gjithashtu, është një hapësirë ku behët prodhimi i maskave, e që synimi i kësaj qendre është që t’i furnizojnë edhe të tjerët me këto maska.

Ndërsa, hapësirë rekreacioni ka edhe jashtë objektit, ku në oborr të kësaj qendre janë edhe fushat e futbollit, basketbollit, e këndit të lojërave për fëmijë.

Në këtë qendër, kanë kërkuar azil nga 18 vende të ndryshme të botës, kryesisht nga Siria, Palestina e Iraku.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i azilantëve që jetojnë në tre qendrat për azil në Kosovë llogaritet të jetë 150.

Lajmet më të lexuara