Policia me masa të shtuara në trafikun rrugor në qytetin e Mitrovicës

14:12 | 16 Prill 2019

Në vazhdën e angazhimeve konkrete në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor, në kuadër të stacionit policor në Mitrovicë, ka filluar së implementuar plani i veprimit me masa të shtuara në ofrimin e sigurisë rrugore, ku në fokus do të jetë zona urbane e qytetit të Mitrovicës, që ka për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor, uljen e aksidenteve, eliminimin e parkimeve të parregullta si dhe eliminimin e kolonave në qytet.

Kështu thuhet në një njoftim për media nga zyra e informimit në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, plani i veprimit rezulton si domosdoshmëri e rrethanave të krijuara dhe masave të parapara për të ndërmarrë në kuadër të planifikimeve operative policore para sezonit veror në qytetin e Mitrovicës.

“Ndër prioritetet e veprimit policor në ditët në vijim do të jenë rrugët “Mbretëresha Teutë” dhe “Shemsi Ahmeti”, marrë parasysh fluksin e automjeteve në këto dy rrugë të cilat ndërlidhen me rrugët nacionale dhe regjionale, ku si rrjedhojë kërkohet angazhim për të mundësuar një sistem funksional të qarkullimit të trafikut rrugor. Brenda planit operativ, masat e shtuara dhe fazat e veprimit do të jenë të njëpasnjëshme, rrjedha e qarkullimit të trafikut rrugor në qytet do të kontrollohet dhe drejtohet me udhëzimet e dhëna nga zyrtarët policorë. Me këtë rast, drejtuesit e automjeteve dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, varësisht nga rrethanat, do të marrin të gjitha instruksionet e duhura nga zyrtarët e Policisë në terren”,  thuhet në njoftim.

Ndërkaq, masat e shtuara policore në kuadër të planit të veprimit edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut, policia do të vazhdojë të shqiptoj masa ligjore të cilat do të shërbejnë si masa parandaluese. /Telegrafi/

 

Lajmet më të lexuara