Policia e Kosovës bëhet me vetura të reja, donacioni vjen nga Gjermania

11:39 | 27 Tetor 2020

Policia Federale e Gjermanisë, sot, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ka bërë dhurimin e një donacioni të rëndësishëm prej 15 veturave për Policinë Kufitare të PK-së.

Pranim dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ambasadori i Gjermanisë . Jörn Rohde.

Ky donacion sipas Mehmetit dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me atë të Gjermanisë, në luftimin e krimit të organizuar dhe atij trans-kufitar.

Si shumë të rëndësishëm këtë donacion e ka cilësuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili rikonfirmoi bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës e në veçanti për Policinë Kufitare.

Pesëmbëdhjetë automjetet që erdhën si dhuratë janë të modelit Duster nga prodhuesi Dacia, veturë kjo e cila dallohet për multi-funksionalitetin teknologjik, ashtu sikurse për qasjen e mirë në terrene të ndryshme pavarësisht vështirësisë, e që janë të nevojshme për Policinë Kufitare.

U. d. drejtori i PK-së, Mehmeti, falënderoi ambasadorin gjerman dhe Policinë Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka bërë dhe po bën ndaj Policisë së Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara