Poeti Jeton Kelmendi i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

13:43 | 13 Shtator 2019

Poeti Jeton Kelmendi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Njoftimi i plotë i Kurtit:

Jeton Kelmendi u anëtarësua në VETËVENDOSJE!. Poezitë e tij janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të huaja dhe për to janë shkruar qindra antologji ndërkombëtare, duke e bërë kështu poetin më të përkthyer shqiptar që ka marrë më së shumti çmime ndërkombëtare. Kritikët letrar e shohin atë si përfaqësues të denjë të poezisë moderne shqiptare. Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar lidhet me kujdesin që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit. Në krijimtarinë e tij veçohet sidomos lirika e dashurisë dhe vargu eliptik i ndërthurur me metafora dhe simbole artistike. Jetoni është edhe dramaturg, përkthyes letrar, analist politik dhe profesor universitar. Studimet për komunikim masiv i ka përfunduar në Prishtinë, kurse studimet post-diplomatike në ULB – Universitetin e Brukselit për politika ndërkombëtare dhe çështje të sigurisë. Masterin e dytë e ka mbaruar për diplomaci, ndërsa doktoratën për politikat e sigurisë ndërkombëtare dhe rolin e medias te këto politika. Ai është profesor në Kolegjin AAB në Prishtinë. Vite me radhë shkroi dhe botoi poezi, prozë, ese dhe tregime. Është bashkëpunëtor i shumë mediave, shqiptare e të huaja, ku trajton çështjet të ndryshme kulturore dhe politike. Jetoni është edhe veteran i luftës i UÇK-së në vitet 1998-1999. Aktualisht punon dhe jeton në Prishtinë dhe Bruksel. Ardhja e tij e shton kreativitetin në Lëvizje.

Me deputetin Ali Lajçi i dëshiruam mirëseardhje në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara