Pjesët e lëndëve të EULEX-it, i përfundojnë gjykatësit vendor

22:27 | 11 Korrik 2018

Që nga 14 qershori, gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it i kanë pushuar aktivitetet e tyre ekzekutive në këtë mision.

Kjo pasi që, nga 15 qershori EULEX ka filluar me një mandat të ri, jo ekzekutiv në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Të gjitha lëndët që kanë qenë të hapura nga EULEX janë transferuar në gjyqësorin e Kosovës.

Në një prononcim për Indeksonline zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj ka thënë se nga EULEX në gjykata janë transferuar gjithsej 60 raste.

Ajo ka shtuar se prej tyre, për 22 raste është marr vendim,  ndërsa 38 raste kanë mbetur në punë.

“Sa i përket rasteve të transferuar nga EULEX-i në gjykata, janë gjithsej: 60 raste, prej tyre për 22 raste është marr vendim dhe 38 raste kanë mbetur në punë”, ka thënë Qorraj.

Ndërsa, ajo shton se këto raste kanë prioritet të njëjtë me rastet e tjera. Sipas saj, Gjyqtarët kanë për detyrë të punojnë në të gjitha rastet njësoj pavarësisht vështirëve dhe sfidave.

“Do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim. Do të trajtohen ashtu siç e kërkon ligji. Gjyqtarët kanë për detyrë të punojnë në të gjitha rastet njëjtë pavarësisht vështirësive dhe sfidave ata janë të përgjegjshëm në punën e tyre”, ka shtuar ajo./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale