Pikat e përbashkëta kufitare, miratohet marrëveshje Kosovë – Shqipëri

16:55 | 16 Prill 2019

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoj marrëveshjen Shqipëri-Kosovë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, shqyrtoi dhe më pas miratoi në tërësi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave te Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar

Të pranishëm në komision, për paraqitjen e  këtij projektligji, ishin Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, si  dhe specialist të kësaj ministrie.

Nga ana e saj, Voda, e vuri theksin te  rëndësia e këtij projektligji, ku ndër të tjera theksoi lehtësimin e proceduarve dhe masave lidhur me kontrollin kufitar parimin e menaxhimit të integruar të kufirit , duke shmangur flukset e qytetarëve kryesisht gjate sezonit veror.

“Parimi që do te zbatohet, është “një ndalesë – një kontroll” pra, do të kemi vetëm një kontroll në hyrje, duke shmangur kështu kontrollet e dyfishta . Kjo marrëveshje vjen në të njëjtën  kohë edhe me një investim të madh nga BE në pikën kufitare Morinës, ku numri i korsive është dyfishuar . Kemi 12 korsi, të cilat janë të ndara 6 për Shqipërinë dhe 6 për palën kosovare, si edhe një godinë e përbashkët, ku do të qëndrojnë autoritetet policore dhe doganore të Kosovës”, tha Voda

Lidhur me propozimet e sjella, më pas fjalën e mori Antoneta Dhima, e cila tha se qëllimi dhe objektivat e këtij projektligji, lidhen me nevojën e thjeshtëzimit të procedurave lidhur me kontrollet kufitare dhe qarkullimin, ndërmjet dy vendeve.

“Marrëveshja është iniciuar duke marrë parasysh fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe të mallrave ndërmjet dy vendeve tona , me synim arritjen e objektivave , për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal dhe Europian. Kjo marrëveshje, parashikon  që pikat aktuale jo të përbashkëta të kalimit kufitar, të ndryshojnë statusin, në pika të përbashkëta të kalimit kufitar , ndërsa pikat e kalimit që mund të hapen në të ardhmen, do të rregullohen sipas parashikimeve të kësaj marrëveshje”.

Mbledhja vijoi me pyetje dhe diskutime  nga anëtarët e komisionit, të cilët më pas, miratuan në tërësi projektligjin. /Atsh

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara