Përveç COVID19, Kosova muajt e fundit po përballet edhe me pickimin e rriqrave

08:34 | 22 Maj 2020 | Ardita Zeka

Për vetëm një muaj në Kosovë janë pickuar mbi 300 persona nga rriqrat, mirëpo deri më tani asnjë person nuk është infektuar me ethe hemorragjike.

Klinika infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tashmë ka bërë përgatitjet në një pjesë të klinikës për të pritur pacientë eventualë me ethe hemorragjike.

Kështu thotë për arbresh.info Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha.

“Po kemi pasur raste të personave me piksim të rriqrave në Kliniken Infektive kohë pas kohe, mirëpo raste me ethe hemorragjike deri më tani nuk kemi pasur. Gjithashtu kemi bërë edhe përgatitjet në një pjesë të klinikës për të pritur pacientë eventualë me ethe hemorragjike”, ka thënë ajo.

Kurse në Ministrinë e Shëndetësisë, zëdhënësi Faik Hoti, i tha arbresh.info se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke e përcjellë situatën epidemiologjike me ethe hemorragjike, përkundër asaj që tashmë janë duke u marrë edhe me pandeminë e COVID-19.

Hoti thotë se, vitet e fundit ka pasur pak raste që kanë rezultuar pozitive në ethe hemorragjike, ndonëse të pickuar ka pasur.

“MSh dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke e përcjellë situatën epidemiologjike me ethe hemorragjike, përkundër asaj që tashmë janë duke u marrë edhe me pandeminë e COVID-19. Masat që janë ndërmarrë nga institucionet relevante, në bashkëpunim me komunat që njihen si zona endemike kanë bërë që intensiteti i thumbimit nga rriqrat të bie ndër vite, sikurse edhe numri I të infektuarve dhe vdekjeve. Edhe këtë vit po përcillet me kujdes situata epidemiologjike. Vitet e fundit ka pasur pak raste të që kanë rezultuar pozitive në ethe hemorragjike, ndonëse të thumbuar ka pasur. Ajo çka është më pozitive është se numri i të vdekurve nga ethet hemorragjike ka rënë në zero që nga viti 2013, pra nuk ka pasur raste të vdekjeve nga kjo sëmundje në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, janë trajnuar personat që bëjnë dezinfektimin e përgjithshëm si dhe atë selektiv dhe kjo bëhet vazhdimisht në terren.

“Në bashkëpunim midis institucioneve komunave, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Agjencisë së Ushqimit e Veterinës, Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve tjera, janë trajnuar personat që bëjnë dezinfektimin e përgjithshëm si dhe atë selektiv dhe kjo behët vazhdimisht në terren. Janë marrë edhe masa të tjera mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike dhe I rëndësishëm është edhe kujdesi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, sezoni kur shfaqen rastet e pickimit nga rriqrat është nga muaji prill dhe maj dhe vazhdon më pas edhe në muajt qershor, korrik dhe gusht.

Nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Ky ishte viti kur është arritur maksimumi i personave të pickuar dhe atyre që kanë vdekur.

Zonat endemike me ethe hemorragjike sipas zyrtarëve janë: Malisheva, Klina, Rahoveci, Suhareka dhe më pak të prekura janë Gjakova e Prizreni./A.Zeka/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara