Përkujtohet ish-veterani i UÇK-së asamblisti dhe humanisti, Astrit Thaçi

16:09 | 11 Shtator 2019

Në një vjetorin e vdekjes së veteranit të UÇK-së, asamblistit dhe humanistit Astrit Thaçi komuna e Rahovecit gjatë ditës sotme ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh dhe ka mbajtur mbledhje përkujtimore për të nderuar veprimtarinë e tij.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se vdekja e Astrit Thaçit i lëndoi të gjithë qytetarët e Rahovecit, teksa tha se ai ka dhënë shumë për këtë komunë.

“Sot, jemi mbledhur bashkë, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, të veprimtarit, humanistit, punëtorit, ushtarit e asambleistit Astrit Thaçi. Vdekja aq e hershme e Astrit na lëndoi shumë, duke e njohur shpirtin e tij human e atdhetar, për ne, qe një humbje e madhe. E kam njohur kaherë, para angazhimit në jetën publike, atëherë kur të gjithë bashkë na bashkonte një ideal, një qëllim madhor – ai i luftës për Liri.

Por, kontributi dhe përkushtimi i tij nuk ndali as pas përfundimit të luftës, gjendja shoqërore dhe ekonomike, përmirësimi i kushteve jetike ishte motivi i punës dhe veprimtarisë së tij.”, tha Latifi.

Kryetari i degës së PDK-së në Rahovec, Idriz Vehapi shprehu fjalët më të mira për ish -bashkëpartiakun e tij.

“Astriti iu gjet Kosovës në luftë, për të mos kursyer asgjë nga vetja, për të jetuar lirinë që e ëndërronin të parët e tij dhe e përcillnin si amanet brez pas brezi”, tha ai.

Vajza e Astritit, Doruntina nën emocione u shpreh se gjithë familja e tyre janë krenar për veprimtarinë e babit të tyre.

“O Babi o hëna ime. o hëna ime që i jep çdo natë dritë shtëpisë sime. O i vetmi im, o shpirti më human dhe i pasur që kam njohur në jetë. Po të ishe këtu me mua do të thoja vetëm një fjalë, jam krenare që jam bija jote. Jam krenare që kam një baba si ti”, tha ajo.

Fjalë të mëdha për Astrit Thaçin shprehu dhe kryetari i kuvendit komunal të Rahovecit, Afrim Dina dhe shokët e tij, teksa thanë se ai u ka ndihmuar të gjithë njerëzve në nevojë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara