Përjetë mirënjohës ndaj NATO-s dhe ndaj SHBA-së

10:30 | 12 Qershor 2019

Para dy dekadave në Kosovë patën hyrë trupat e NATO-s, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën e humbur për jetë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ndonëse lufta në vend ka përfunduar para 20 vjetëve, njëri nga ish-themeluesit e UÇK-së Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ende i ka të freskëta kujtimet për 12 qershorin e vitit 1999.

“Për mua me rëndësi të madhe ka qenë fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Nuk mund të them se jam gëzuar më shumë sesa një qytetar i zakonshëm i Kosovës, por për këtë ditë duhet t’u falënderohemi të gjithë atyre që e kanë marrë në mbrojtje popullin shqiptar që nga Mali i Zi, Maqedonia e në veçanti çdo familje shqiptare në Republikën e Shqipërisë, e cila është organizuar në format e mundshme për t’i mbajtur dhe për t’i trajtuar të gjithë shqiptarët e Kosovës që i lëshuan vatrat e tyre”, ka thënë Haliti.

Haliti gjatë rrëfimit të tij për “Zërin” ka thënë se NATO-ja dhe SHBA-ja janë më meritoret për çlirimin dhe për shpëtimin e Kosovës nga kthetrat e Serbisë.

“NATO-ja në veçanti SHBA-ja dhe shtetet kryesore të NATO-s morën vendimin për ta çliruar dhe për ta shpëtuar Kosovën. Ky është një akt i veçantë në historinë e njerëzimit dhe për neve NATO-ja është gjithçka. Ata na rikthyen në jetë dhe në shtëpitë tona duke i larguar forcat shoviniste dhe terroriste të regjimeve të përhershme të Serbisë nga Kosova. Ata na ofruan mundësinë të jetojmë të lirë në Kosovë, të punojmë, por edhe të krijojmë një shtet të së drejtës dhe nëse e bëjmë këtë ne e kemi dhënë provimin”, ka shtuar ai.

Haliti tregon edhe për gëzimin që kishin përjetuar ish-ushtarët e UÇK-së me rastin e hyrjes së NATO-s në Kosovë.

“Unë besoj se gëzimi i ushtarëve është parë si në kamera, ashtu si gjithkund tjetër, sepse ata kanë qenë në pozita më të pafavorshme gjatë bombardimeve, sepse Serbia ka qenë shumë agresive në atë kohë dhe fuqia furnizuese e ushtrisë së UÇK-së ka qenë e zvogëluar për shkak të veprimeve të fuqishme ushtarake të Serbisë. Gëzimi ka qenë i çdo qytetari të Kosovës, duke përfshirë të gjithë që e panë më në fund se liria erdhi për ta”, ka rrëfyer tutje ai. /ZERI

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara