Përfundon manifestimi i opozitës në Malishevë

15:53 | 17 Dhjetor 2015

Subjektet opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën kanë mbajtur sot manifestimin e radhës në Malishevë në kundërshtim të marrëveshjeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi.

Liderët opozitarë ishin përsëri të ashpër ndaj pushtetit aktual ku kanë kërkual tërheqjen e nënshkrimeve nga këto dy marrëveshje.

Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje në fjalën e tij nga sheshi Adem Jashari e në mënyrë simbolike nëpërmes emrit të sheshit që mban emrin e heroit kombëtar, ka kundërshtuar dhe ka dhënë mesazh për marrëveshjet.

“Jemi ne Sheshin ‘Adem Jashari’ në Malisheve, për t’i thënë se bac nuk u krye ende, por Isa dhe Hashimi po thonë se Vuçici kështu po kërkon, por këto projekte nuk do të kalojnë,”tha Visar Ymeri.

“’Zajednica’ nënkupton një shtet brenda shtetit të Kosovës, madje më të fortë se shteti i Kosovës. Për këtë ‘Zajednica’ nuk kalon se na len pa bukë, pa punë, pa shtet,” tha Ymeri.

Në anën tjetër lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, sërish e ka përmendur Amerikën, duke i kërkuar ndihmë në kauzën që Opozita tash e sa muaj ka ngritur, të njëjtën gjë që bëri edhe dje në Pejë.

“Ne e kemi mik Amerikën dhe e lusim mikun të na ndihmojë edhe sot,” tha Haradinaj në Malishevë.

Fatmir Limaj, kryetar i Nisma-s për Kosovën, nga qyteti i tij i lindjes dhe aty ku qeverisë partia e tij tha se pushteti po arreston deputetët padrejtësisht dhe kësisoj po e përdorë policinë për qëllime të tyre.

“Sot jetojmë në një shtet ku gjysma e opozitës janë të burgosur, ku policia keqpërdoret nga shteti dhe sulmon përfaqësuesit e popullit,” tha Limaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara