Përfundojnë gërmimet në Suhodoll, nuk ka dyshime për mbetje mortore

18:59 | 17 Tetor 2017

Kanë përfunduar gërmimet sot në fshatin Suhodoll në veri të Mitrovicës, në një lokacion të dyshuar për varrezë me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, gjatë këtyre pesë ditëve të gërmimeve në këtë lokacion, ka pasur gjetje fragmentare dhe është gjetur një trup, por që nuk ka dyshime më për mbetje mortore.

Sipas tij, vlerësimi është bërë në mënyrë profesionale, andaj familjarët duhet të jenë të informuar se këtu nuk ka dyshime më për mbetje mortore të personave të zhdukur, ndërsa mbetet të vazhdohet hulumtimi në lokacione tjera.

“Gjatë këtyre gërmimeve, vlerësimeve, ka pasur gjetje fragmentare, është gjetur edhe një trup komplet. Është verifikuar dhe hulumtuar e tërë hapësira e dyshuar, kështu që është hequr meraku, por edhe është bërë vlerësimi profesional, në mënyrë që mos të kthehemi më, por edhe mos të ketë mundësi të spekulohet, por edhe familjarët të qetësohen dhe të jenë të informuar se këtu nuk ka dyshime më për mbetje mortore të personave të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. Mbeten lokacione tjera për t’u vazhduar, për t’u hulumtuar në këtë mënyrë dhe formë”, ka thënë për KosovaPress Gjetaj.

Sa i përket rajonit të Mitrovicës, shtoi ai, pika të dyshuara vazhdojnë të mbetën varrezat myslimane në veri të qytetit, si dhe fshati Kçiq, të cilat akoma nuk janë hulumtuar në tërësi.

Ndryshe, në këtë lokacion ishin bërë gërmime edhe vite më parë me ç’rast ishin gjetur 105 mbetje trupore, por që nuk ishin larguar dyshimet se aty mund të ketë trupa të tjerë, sepse sipas familjarëve gërmimet nuk ishin zhvilluar si duhej dhe lokacioni nuk ishte vlerësuar në tërësi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara