Përfundimisht, do të rishpallet konkursi për Avokat të Popullit

19:09 | 15 Prill 2015

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticione dhe Persona të Pagjetur, ka miratuar vendimin për përsëritjen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar dy herë që të zgjedh kreun e këtij institucioni.
Në fillim të muajit prill, as në rundin e tretë të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nuk u nxor një fitues. Veton Vula, kandidati i vetëm që kishte mbetur, mori vetëm 49 vota, që nuk ishin të mjaftueshme për ta promovuar në këtë post, përcjell Koha.net.

Për t’u bërë Avokat i Popullit, kandidati duhej të fitonte së paku 61 vota, pra një më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në garë ishin edhe tre kandidatë të tjerë, Shqipe Ibraj-Mala, Mazllum Baraliu dhe Suzan Novobërdali.
Partitë në pushtet, megjithëse me shumicë votash në Kuvend, nuk kanë arritur t’i funksionalizojnë institucionet me rëndësi për vendin. Ka kaluar më shumë se një vit prej kur institucioni i Avokatit të Popullit funksionon me ushtrues detyre, e edhe muaj të tërë do të mbetet kështu, meqë në rastin e fundit, Kuvendi dështoi ta zgjedhë atë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Lirie Kajtazi, që vjen nga partia në pushtet LDK, kishte thënë më parë për KTV se është e pafalshme për legjislativin që për kaq kohë të mos arrijë ta votojë Ombudspersonin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara