Për shkak të dyshimit mbi vrasjen e Enver Zymberit, suspendohen vëllezërit Lekiq

17:26 | 5 Mars 2015

Shefi i operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut të Mitrovicës, kapiteni Miodrag Lekiq, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtar i policisë në këtë stacion, Millan Lekiq, janë suspenduar nga detyra deri në përfundim të hetimeve që po zhvillohen në lidhje me rastin e vrasjes së policit Enver Zymberi.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ata janë suspenduar në afat të pacaktuar kohor mbi bazën e prokurorisë që nga data 25 shkurt, ndërsa u janë marrë dokumentet e udhëtimit dhe obligohen të paraqiten tre herë në ditë në stacion.

Sipas këtyre burimeve, ata janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarë të EULEX-it, dhe përveç intervistimit, atyre u janë bastisur edhe shtëpitë, por nuk bëhet e ditur nëse është gjetur diçka që konfirmon prova të krimit në fjalë.

Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar për KosovaPress suspendimin e dy pjesëtarëve të policisë, por nuk ka dhënë detaje shtesë.

“Ata janë suspenduar nga Drejtoria e përgjithshme e policisë në Prishtinë dhe ata iu japin sqarime shtesë”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, bastisjet dhe intervistimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë konfirmuar edhe nga zyrtarët e EULEX-it.

“Me 12 shkurt 2015 Policia e Kosovës- Njësia e Hetimeve Rajonale të veriut ka kryer një bastisje me urdhër të gjykatës, lidhur me hetimet mbi vrasjen e Enver Zymberit”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Sollomon.

Ajo ka konfirmuar se dy persona janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe përveç intervistimit atyre u janë bastisur edhe shtëpitë.

Ndryshe, polici i njësisë speciale Enver Zymberi u vra me 26 korrik 2011 në pjesën veriore të Kosovës gjatë operacionit të policisë për kthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31. /Kosovapress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara