Për 2019 është blerë çdo ditë mbi 1 milion euro energji

21:18 | 10 Shkurt 2019

Mbi 1 milion euro në ditë ka shpenzuar Shqipëria për të blerë energjie nga importi gjatë 2019-s.

Ndryshimi i situatës hidrike me pasoje rënien e nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës ka detyruar OSHEE që për janarin dhe javën e parë të shkurtit të importoje 38,5 milionë euro energji për të siguruar furnizim pa ndërprerje.

“Gjatë vitit 2019, në janar është bere një blerje energjie rreth 390 mijë megavat orë me një kosto të përafërt i bie 35 milionë euro pa TVSh e njëjta situatë e vështirë në furnizim i shfaq edhe gjatë periudhës 1 deri në 7 shkurt, sasia e energjisë prej 50 mijë mega u kontraktua për një kosto totale prej 3,8 milion euro”, tha Elton Sevrani, drejtor i Divizionit Tregtar në OSHEE.

Importet ndikojnë jo pak në financat e OSHEE dhe për rrjedhojë edhe në çmimin final të energjisë për konsumatorët familjare qe prej disa vitesh paguajnë 9,5 leke për çdo kilovat ore energji.

Gjithsesi OSHEE thotë çmimi për qytetarët nuk do të preket. Sipas saj ka një përmirësim të situatës dhe kostot e larta e importit me rritje nga 60-70% do të përmirësohen gjatë pranverës.

“Në krahasim me 2018-tën, janari ka rritur kostot për njësi një masë prej 60-70%, në krahasim me 2018, ne shpresojmë që në muajt e pranverës ta reduktojmë këtë kosto. Reduktimi i kostos për njësi nënkupton më shumë mundësi për mirëmbajtje dhe investime ne rrjetin e shpërndarjes dhe asnjë rast rritje të çmimit për klientë fundore”, tha Sevrani.

Nga gjithë sasia e energjisë së hedhur në rrjet deri e më tani për 2019-ën rreth 70% ka qenë nga importi.

Shpërndaje në rrjete sociale