“PayKos”, kompania që ia gëlltiti miliona euro Telekomit

10:22 | 6 Gusht 2019

Me 1 dhjetor të vitit 2014, kompania “PayKos” u regjistrua si biznes i rregullt në Agjencinë Kosovare të Bizneseve (ARBK). Vetëm katër muaj më vonë, e njëjta fitoi në mënyrë të dyshimtë një kontratë milionëshe në Telekomin e Kosovës (TK). E ashtuquajtura “marrëveshja komerciale mes PTK-Paykos”, u nënshkrua më 16 mars 2015 dhe kishte si qëllim shitjen, distribuimin dhe promovimin  e mbushjeve Pre Paid.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletiuni Ekonomik, ku përfshihet vetë kontrata e nënshkruar nga ish-kryeshefi, Agron Mustafa, Telekomi i mundësoi kësaj kompanie fitime milionëshe përgjatë periudhës 2015-2018. Rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos”, për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 përqind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “Pay-Kos”-it.

Prej vitit 2015, Paykos ka fituar minimum rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për “arritje” të targeteve, dhe minimum rreth 1 milion euro për blerje të mbushjeve me çmime me zbritje nga operatori.

Në vitin e parë të operimit, më 2015, të hyrat nga shitjet kompania i kishte 6.9 milionë euro, në vitin pasues (2016) 19.5 milionë euro, më 2017 -25.7 milionë euro dhe 24.6 milionë euro me 2018. Telekomi me kontratë obligohej që t’ia jepte kompanisë 1 përqind të vlerës së fituar që ishte mbi targetin e parashikuar.

Kontrata me PayKos dhe ‘theqafja’ e Telekomit

Në një njoftim për media nga PTK në kohën kur ishte nënshkruar kontrata, thuhej se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që konsumatorët e kompanisë, brenda një periudhe të shkurtër, të furnizohen me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G, në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën. Rrjedhimisht, nga kjo parashihej që PTK-ja të arrinte pozitë më të mirë në tregun e telekomunikimeve.

Megjithatë, marrëveshja me “PayKos”-in nuk i dha rezultatet e pritura. Përkundrazi, “theqafja” në këtë ndërmarrje filloi qysh në vitin 2015, bash në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Në kohën kur Agron Mustafa erdhi në krye të Telekomit të Kosovës (TK), më 22 shkurt 2015, ndërmarrja sapo e kishte mbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.

Ndonëse kjo ishte përgjysmë më pak se viti 2013, kur fitimi ishte 36.1 milionë euro, me zgjedhjen e Mustafës në krye të Telekomit pritej që të ndalej ky trend negativ i performancës financiare. Por, përveçqë nuk u ndal trendi negativ, ndërmarrja këto tri vitet e fundit shënoi rënien më të madhe ndër vite.

Sipas raporteve të performancës financiare për Telekomin, qysh në vitin e parë kur Mustafa erdhi në pozitën e kryeshefit, ndërmarrja e mbylli vitin me një humbje prej 7.9 milionë eurosh. Bëhet fjalë për vitin 2015, përderisa vetëm një vit më herët, më 2014-ën, Telekomi e kishte mbyllur vitin  me një fitim prej 16.5 milionë eurosh. Nga ky vit e deri më tani, Telekomi i mbylli të gjitha vitet pasuese me humbje.

“PayKos”, kompani “pa gjurmë”

Buletini Ekonomik ka hulumtuar aktivitetet e kompanisë për këtë periudhë, mirëpo gjithçka rreth saj është e paqasshme për publikun. Madje kompania nuk ka as faqe në internet, përveç një adrese se ku ndodhet me zyre dhe numrin e telefonit.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve , si pronarë i vetëm i “Pay-Kos”-it figuron emri i Armend Zeqirajt. Aty thuhet se kompania si aktivitet primarë ka “Teknologjinë informative dhe aktivitete shërbyese kompjuterike”. Punëtorë të deklaruar në ATK, kjo kompani në vitin 2015 i ka pasur katër sosh, kurse më 2018, tetë punëtorë.

Zyrtarët e kompanisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth aktiviteteve dhe përvojës së PayKos-it, në tregun e telekomunikimeve para se të fitonte kontratë me Telekomin.

Prezentimi “pompoz” i projektit nga Telekomi më 2015

Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Agron Mustafa, në deklarimet e tij për media, marrëveshjen me “Pay-Kos” e paraqiti si sukses të madh për kompaninë. Qëllimi i kësaj marrëveshje ishte që brenda një periudhe të shkurtër të gjithë konsumatorët e kompanisë të mund të furnizohen me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G,  në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën.

“Kjo është një marrëveshje biznesore shumë e mirë për PTK-në. Përmes dyfishimit apo trefishimit të pikave të shitjes për produket e PTK-së, po fillojmë gradualisht të ndryshojmë qasjen e PTK-së në raport me konsumatorin. Do të jemi kudo që ka lëvizje të njerëzve, në tregje, markete, lokale, pika turistike, etj, etj”, pati thënë Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Në njoftimin për media nga PTK-ja, kur u nënshkrua kontrata thuhej se këto “2 mijë pika të reja të shitjes, do të hapen brenda gjashtë muajsh në të gjithë territorin e Kosovës”.

“Hapja e pikave të reja të shitjes do të bëhet eskluvizisht me investimet e kompanisë private, “PayKos”, e cila ka partneritet strategjik me kompaninë e njohur botërore të distribuimit “PayZone”, ndërsa 1 mijë e 200 pikat ekzistuese të shitjes të PTK-së, ku aktualisht shiten të gjitha produktet e telefonisë mobile, Vala, do të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani”, thuhej në njoftim.

Më tej në njoftim thuhej se marrëveshja për partneritet strategjik është “inicuar para disa muajsh dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat ligjore”. Po ashtu thuhej se nëshkrimet në të i kishin vënë drejtuesit e të gjitha departamenteve në PTK.

“Fillimisht, është publikuar shprehja e interesit të PTK-së në media për gjetjen e një partneri potencial, për t’u selektuar më pas për negociata të drejtpërdrejta kompanitë që përfaqësonin ofertat më të mira. Procesi i partneritetit strategjik për hapjen e pikave të reja të shitjes në të gjithë territorin e Kosovës, ka marrë aprovimin dhe rekomandimin e të gjitha departamenteve të PTK-së. Janë rreth 10 njësi të PTK-së, duke filluar nga Vala, Telekomi, Shitja, Prokurimi, etj., drejtuesit e të cilëve kanë nënshkruar për të përzgjedhur për partneritet strategjik kompaninë me ofertën më të mirë”. /Buletini Ekonomik/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara