Pas përleshjes ndërpritet procesi zgjedhor i LDK-së në Mitrovicë

20:51 | 19 Maj 2019

Lidhja Demokratike të Kosovës ka anuluar procesin zgjedhor në tërë degën e saj në Mitrovicë, pas përleshjes fizike që ndodhi mes mbështetësve të Safet Kamberit dhe Faton Pecit, të dy kandidatë për kryetar të degës.

Lajmin e ka bërë të ditur Sektori për informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, nëpërmjet një komunikate për media.

“Punimet e Kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të LDK-në “Iliridë” dhe “Qendër” në Mitrovicë, të cilat do të duhej të mbaheshin sot në ora 14:00, janë ndërpre në fillim të punës, anipse në to ishin të pranishëm edhe të deleguarit e Kryesisë Qendrore të  LDK-së, për ta monitoruar procesin.

“Kuvendet janë ndërpre për shkak të drejtimit dhe menaxhimit skandaloz nga ana drejtuesve të kuvendeve të procesit, pasi që ata nuk ndërmorën asnjë hap për pamundësimin e përpjekjeve që të ndikohet në procesin zgjedhor, duke lejuar që pjesë e këtij procesi të bëhen edhe personat që nuk ishin anëtarë të këtyre nëndegëve dhe të atyre që nuk ishin fare anëtarë të  LDK-së, por të partive tjera politike në Mitrovicë. Po ashtu, drejtuesit e këtyre dy kuvendeve nuk u angazhuan fare për të qetësuar sjelljet agresive e të dhunshme të disa personave, sidomos në nëndegën “Qendra”, thekson LDK-ja.

“Me qëllim të qetësimit të situatës dhe tejkalimit të problemeve aty ku ka dhe të konsolidimit të procesit zgjedhor, kryetari i Degës së LDK-së  në Mitrovicë, Safet Kamberi, pas një konsultimi me drejtuesit e LDK-së në Prishtinë, ka marrë vendim që të ndërpritet i tërë procesi zgjedhor i Degës së LDK-së në Mitrovicë.  Procesi  zgjedhor do të vazhdoj  pasi që për këtë të marrin vendim Kryesia Qendrore dhe ajo e LDK-së në Mitrovicë”, përfundon komunikata e LDK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara