Pas koronavirusit, Kosova do të goditet nga “pandemia” ekonomike, kërkohen masa emergjente

08:07 | 28 Mars 2020 | Agnesa Çitaku

Ka më shumë se dy javë që kur në Kosovë janë shfaqur rastet e para me virusin Covid 19.

Numri i të prekurve nga ky virus ka shkuar në 88 ndërsa përgjatë kësaj kohe kanë ndodhur shumë ndryshime politike e deri të rënia e Qeverisë.

Të gjitha këto kanë bërë që vendi të hyjë në krizë politike dhe të mos u jepet prioritet minimizimit të efekteve ekonomike si pasojë e koronavirusit.

Kështu ka thënë në një intervistë për arbresh.info, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se të gjitha vendet e botës janë të fokusuara maksimalisht në luftimin e këtij virusi.

“Duhet të pranohet një realitet i hidhur që Kosova ka hy në krizë derisa të gjitha vendet e Evropës dhe botës luftojnë vetëm me një kundërshtar që është koronavirusi, Kosova ballafaqohet me krizë ekonomiko-sociale dhe në të njëjtën kohë me një krizë politike, në veçanti tani pas rrëzimit të Qeverisë e cila e rëndon edhe më tepër aktualitetin e Kosovës, në këtë drejtim besoj që duhet të pranohet e vërteta që jemi në  situatë emergjente dhe duhet të gjinden modalitetet si të minimizohen ekonomikisht efektet e kornaviusit dhe si duhet ta kemi qasjen pas kalimit të koronavirusit”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka shtuar se aktualisht në Kosovë problemi më i madh është sektori privat.

Andaj sipas tij Qeveria duhet të krijojë një pako emergjente të sanoj pasojat që mund të shkaktohen në këtë sektor.

“Në këtë drejtim problemi më i madh është sektori privat, sot i kemi më tepër se 320 mijë të punësuar në sektin privat dhe pjesa dërmuese e tyre këtë javë do të mbetet pa paga, pra nuk e kanë këtë komoditet dhe dua të besoj se Qeveria me një pako urgjente-emergjente të stanoj pasojat që mund të shkaktohen nga mos pagimi i punëtorëve qoftë në aspektin social apo atë ekonomik prandaj kjo duhet të jetë prioritet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk duhet ngulfatur ekonomia në këtë e vendet edhe ashtu e pazhvilluar.

Gerxhaliu ka theksuar se Kosova duhet të kërkoj fonde nga jashtë sepse sfida më e madhe e vendit do të jetë pas Covid 19, kur të shfaqet pandemia ekonomike.

“ E dyta nuk duhet të ngulfatet ekonomia, jemi një vend jo aq i zhvilluar,  kemi vetëm disa ndërmarrje që mund të jenë aktive e në këtë drejtim duhet të krijohet një kontinjutet por vendet e rajonit janë shumë aktive në këtë drejtim dhe kanë krijuar shtabe emergjente të ekspertëve që krijojnë programe që të absorbojnë fonde nga donatorët dhe BE pas koronavirusit dhe në këtë drejtim Kosova është duke stagnuar sepse ne shumë më tepër merremi mes veti dhe e forcomë agjendën politike sesa atë ekonomike, ne duhet të jemi të gatshëm të kërkojmë këto fonde dhe pas pandemisë sepse sfida më e madhe e Kosovës pas Covid 19 të jetë pandemia ekonomike e jo vetëm koronavirusi”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe zhvillimet politike në vend duke thënë se vendi ka hyrë në krizë politike. Ish- kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se Kosova duhet të marrë shembull nga përfitimet e Serbisë dhe vendeve të rajonit.

“Derisa të gjitha vendet në botë komunikojnë dhe shkëmbejnë ide si t’i minimizojnë pasojat e koronavirusit, në Kosovë ne na apelojnë shtete mike që të kemi disiplinë politike, të mos merremi me politikë por të gjemë strategji për ta luftuar koronavirusin dhe në këtë mënyrë po e shihni se jemi të vetizoluar, prandaj duhet të dalim të kërkojmë ndihmë. Po e shohim çfarë ndihme po përfitojnë Spanja e Serbia dhe vendet tjera të rajonit dhe në Kosovë askush nuk kujdeset, e duhet të kërkomë ndihma në rend të parë për sanim të kësaj gjendje , në rend të dytë për mbështetje në sektorin e shëndetësisë, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, ka thënë ai.

Gerxhaliu ka shtuar se disa nga kompanitë mund të punojnë duke respektuar udhëzimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë që të funksionoj sektori privat

“Duhet të gjendet modalitetet që të mos kemi paralizim Institucional dhe të funksionimit të sektorit privat, duhet të paraqiten kriteret që duhet të përmbushën, të ketë disiplinë dhe distancë dhe ambient e në këtë drejtim mund të qëndrojnë efekte pozitive. Duhet të ketë kujdes që ata që nuk kanë punë dhe nuk janë të nevojshëm të jeni aty të mbetën në shtëpi dhe të kontribuojnë në minimizimin e efekteve të mundshme negative”, ka thënë ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se duhet të mendohet më shumë për sektorin privat sepse ata e gjenerojnë buxhetin e Kosovës.

“Prapë po them se është kohë kur duhet të ketë koordinim ndërinstitucional, të mos bien vendimet ndesh dhe të mendohet shumë më tepër për sektorin privat dhe mendohet më tepër si të futet paraja në qarkullim sepse një nga indikatorët kyç në Kosovë është konsumi e si do të kesh konsum nëse nuk ke gjenerim prandaj këtu duhet të krijohet ai zigji me botë dhe të përfitoj Kosova në veçanti punëtorët e sektit privat sepse paramendojeni çfarë gjendje është sot kur administrata publike e merr pagën dhe punëtorët privat presin, lind  pyetje kush e gjeneron buxhetin e Kosovës, e gjeneron komuniteti i bizneseve dhe qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, i kanë drejtuar një kërkesë Qeverisë së Kosovës.

Në të thuhet se Qeveria në detyrë, duhet të nisë menjëherë përpilimin e një programi të rimëkëmbjes për fazën e pas përfundimit të pandemisë COVID-19, i cili do të përfshinte mjete monetare nga buxheti i vendit, por edhe nga organizatat financiare ndërkombëtare.

Gjithashtu të alokohen së paku 300 milionë euro për fazën emergjente të mbështetjes së sektorit privat./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara