Pas 27 vjetësh, rivarroset në vendlindje kosovari i cili ishte i zhdukur

17:32 | 12 Shtator 2019

Sot në fshatin Gurbardh të Komunës së Malishevës, është bërë rivarrimi i Rifat Berishës, i cili ishte zhdukur 27 vite më parë në Bosnje Hercegovinë, gjatë luftës në atë vend.

Pas kërkimeve të vazhdueshme të familjes për 27 vite më radhë, janë gjetur eshtrat e tij dhe janë kthyer dje në vendlindje, ndërsa sot, është bërë rivarrimi i tij.

Në ceremoninë e rivarrimit, krahas familjarëve, miqve dhe afërmve të tjerë, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Prenk Gjetaj, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë.

Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se shqiptarët janë përballur me gjëra të tilla me shekuj.

“Shqiptarët, me shekuj i ka përcjellë ky fat, që të zhduken në luftëra të ndryshme, ku shumë prej tyre, nuk janë gjetur asnjëherë, por Rifatin e ka thirr toka e vet dhe falë këmbëngulësisë së familjes, është gjetur dhe u kthye që eshtrat e tij të prehen në tokën ku ka lindur”, ka thënë Begaj, transmeton klan kosova.

Sipas Komunës së Malishevës, nga lufta e fundit vazhdojnë të jenë edhe 38 persona të zhdukur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara