Parlamenti Europian do të debatojë votimin e pavarësisë katalanase

20:50 | 2 Tetor 2017

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, ka deklaruar se eurodeputetët do të mbajnë një seancë mbi situatën në Spanjë pas referendumit për pavarsi në Katalonia.

Përmes llogarisë zyrtare në Twitter, Tajani tha se ai ka biseduar me kryemnistrin e Spanjës, Mariano Rajoy dhe ka theksuar se Parlamenti Europian do të debatojë mbi “Kushtetutën, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore në Spanjë”, transmeton portali arbresh.info

Deputetët kanë votuar në favor të mbajtjes së seancës, e cila pritet të zhvillohet të mërkurën pasdite.

Rajoni verilindor i Spanjës mbajti një referendum të dielen për shkëputje nga Spanja, veprim të cilin qeveria spanjolle e ka konsideruar si të paligjshëm. Përafërsisht janë numëruar rreth 2.3 milionë fletvotime, ku rreth 90 përqind kanë votuar në favor të pavarësisë.

Udhëheqësit europianë kanë mbetur me ‘gojë të mbyllur’ ne lidhje me ngjarjet e zhvilluara dje.

Udhëheqësit katalanas i kanë kërkuar BE të reagojë, veçanërisht pasi ministria rajonale e shëndetësisë raportoi se më shumë se 800 vetë u plagosën nga policia duke u përpjekur të bllokojnë votimin./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara