Pandemia uli shpenzimet e KGJK-së dhe gjykatave

08:21 | 22 Nëntor 2020 | Arditë Shkodra

Pandemia Covid-19 ka pamundësuar udhëtimet zyrtare të përfaqësuesve të institucioneve publike në vend.

Kjo ka bërë që edhe shpenzimet nga buxheti i shtetit të jenë më të vogla.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe të gjitha gjykatat e Kosovës gjatë këtij viti pandemik kanë shpenzuar më pak para për udhëtime zyrtare, bileta, akomodim brenda dhe jashtë vendit si dhe për karburantë, raporton arbreh.info.

Nëse krahasohet me një vit më parë, shpenzimet e KGJK-së dhe gjykatave, ka një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve. Madje, gjatë këtij viti nuk është përdorur asnjë cent nga buxheti i KGJK-së për akomodimin për udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Nga 1 janari deri më 30 shtator të këtij viti për dreka zyrtare, KGJK bashkë me gjykatat kanë shpenzuar 3 mijë e 331 euro, për ushqim dhe mëditje 4 mijë e 944. 44 euro, ndërsa për akomodim për udhëtim zyrtar brenda vendit KGJK dhe gjykatat për nëntë muaj kanë shpenzuar vetëm 254 euro e 90 cent.

Marrë parasysh që vendi ynë është përfshirë nga vala pandemike në mars të këtij viti, edhe udhëtimet zyrtare jashtë vendit kanë qenë të pakta, duke ndikuar drejtpërdrejt në kursimin e buxhetit të KGJK-së.

429 euro e 05 cent janë shpenzuar nga këshilli dhe gjykatat e Kosovës për udhëtime zyrtare jashtë vendit, përfshirë këtu edhe biletat, bëhet e ditur në një përgjigje të KGJK-së, dhënë për arbresh.info

Ndërsa, edhe shpenzimet për karburantë kanë qenë më të ulëta.

Për nëntë muaj Këshilli bashkë me të gjitha gjykatat e Kosovës ka harxhuar 7 mijë e 173.86 euro për karburantë të veturave zyrtare.

Gjithsej shpenzime nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe gjykatat e Kosovës gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti janë bërë 82 mijë e 133 euro e 34 cent.

Nëse shpenzimet e këtij viti krahasohen me një vit më parë (2019) , vërehet një ulje e konsiderueshme, sidomos në akomodimin për udhëtim zyrtar jashtë vendit, ku zyrtarë të KGJK-së dhe gjyqtarët e të gjitha gjykatave kishin shpenzuar 17 mijë e 291 euro e 80 cent, ndërsa këtë vit asnjë cent.

Për dreka zyrtare gjatë vitit 2019, KGJK ka shpenzuar 4 mijë e 234. 21 euro, për ushqim dhe mëditje KGJK bashkë me gjykatat kanë shpenzuar 70 mijë e 211. 99 euro.

Për akomodim për udhëtim zyrtar brenda vendit KGJK bashkë me gjykatat në vitin 2019 kishin shpenzuar 5 mijë e 174 euro e 80 cent, ndërsa për akomodimi për udhëtim zyrtar jashtë vendit 17 mijë e 291. 80 euro.

Shpenzimet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit, përfshirë edhe biletat zyrtarë të këshillit dhe të gjykatave në 2019 kishin shpenzuar 4 mijë e 442 euro e 51 cent, ndërsa për karburantë 133 mijë e 887. 09 euro, raporton arbresh.info.

Kur llogariten të gjitha shpenzimet e Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave në Kosovë, gjatë vitit 2019 janë shpenzuar gjithsej 235 mijë e 242. 40 euro./arbresh.info/ArditëShkodra/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara