Osmani sërish porosi Hotit: Për dialog duhet legjitimitet, përgatitje e përvojë

15:37 | 15 Shtator 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë, Aarne Sannes Bjornstad

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me përfaqësuesin special të Norvegjisë, Arne Sannes Bjornstad.

Siç u bë e ditur në komunikatën dërguar mediave, në këtë takim u trajtuan çështje të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19.

“Kryetarja Osmani e falënderoi z. Bjornstad për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë nga ana e shtetit të Norvegjisë në menaxhimin e pandemisë. Ata gjithashtu diskutuan për efektet e menjëhershme pozitive pas hyrjes ne fuqi të Ligjit për parandalimin luftimin e pandemisë COVID-19, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësim të situatës dhe rrjedhimisht duke zvogëluar numrin e rasteve të infektuara”, thuhet në njoftim.

Theks të veçantë në takim është vënë mbi zhvillimet aktuale politike në vend, veçanërisht në procesin e dialogut.

Osmani potencoi si të domosdoshme nevojën për transparence të plotë përgjatë tërë këtij procesi e sidomos respektimin e zotimeve të dhëna para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Sipas Kryetares Osmani, nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, mirëpo, është gabim serioz që po hapen çështje tashmë të mbyllura ndër vite si dhe po diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm që tashmë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në vend. Në këtë drejtim, Osmani theksoi që: ‘Legjitimiteti, përgatitja, përvoja dhe arritja e unitetit politik janë formula e vetme për sukses në dialog.’

Të dy palët u dakorduan që është tejet e rëndësishme që tërë ky proces të kalojë përmes Kuvendit dhe të sigurohet që Kuvendi të ketë rol aktiv.​/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara