Osmani: Roli i Gjermanisë për perspektivën evropiane dhe ekonomike të Kosovës është krucial

17:57 | 5 Gusht 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e ri të Gjermanisë të akredituar në Kosovë, Jörn Rohde, duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në mandatin dhe detyrën e re.

Në këtë takim u vlerësuan lart raportet bilaterale në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe ndihma që shteti gjerman ka dhënë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit.

U vlerësua nevoja e vazhdimit dhe rritjes së bashkëpunimit institucional, në nivelin, politik, ekonomik dhe diplomatik, si dhe shkëmbimi i përvojave në disa prej fushave specifike, siç është diplomacia parlamentare në mes të dy vendeve.

Në lidhje me aktualitetin politik, u diskutua angazhimi i institucioneve të vendit dhe përballja me gjendjen e rënduar nga pandemia, si dhe nevoja imediate që institucionet të kenë top prioritet adresimin e çështjeve që ndërlidhen me pandeminë dhe gjendjen e rënduar ekonomike.

Në raport me temën e dialogut, kryetarja e Kuvendit theksoi se roli i Kuvendit në procesin e dialogut është krucial, në raport me rritjen e transparencës dhe përmbylljes eventuale të një procesi të tillë.

U diskutua edhe avancimi i rolit të gruas në proceset politike dhe shoqërore në vend. ​

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara