Osmani e Deda, të shqetësuar me vazhdimin e seancës këtë javë

11:15 | 21 Tetor 2015

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani dhe ai i VV-së, Ilir Deda kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër mbajtjes së seancës parlamentare këtë të premte ashtu siç ka vendosur dje kryesia e Kuvendit të Kosovës, transmeton arbresh.info.

Gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar me iniciativën e disa organizatave jo qeveritare, ku u diskutua mbi situatën politike në vend, me theks të veçantë në gjetjen e alternativave për tejkalimin e kësaj situate, deputetja Osmani tha se është e papranueshme mbajtjen e një seance të radhës këtë të premte për shkak të veprimeve të opozitës.

“Deputetët po konsiderohen si minj, sa mund të thithin gaz lotsjellës dhe për veprime të tjera që do të ndodhin në vazhdim prandaj e shoh totalisht të papranueshme mbajtjen e kësaj seance ditën e premte. Deputetët po provohen deri sa mund të jenë rezistentë ndaj përdorimit të dhunës”, është shprehur Osmani.

Edhe Ilir Deda nga VV tha se situata e krijuar do të shpie drejt një konflikti brenda shqiptarëve dhe se nuk ka pritur që këtë javë do të ketë vazhdim të seancës.

“Kjo situatë do te na shpie tek një konflikt brenda shqiptaresh. Kjo krizë politike zgjidhet duke pranuar që ajo ekziston. Nuk e kam pritë që do të ketë seancë këtë javë. E premtja nuk do të jetë ditë normal në bazë të asaj çka po ndodh tani”, ka thënë Deda.

Ai ka ripërsëritur se mundësia e referendumit e normalizon situatën në Kosovë dhe e zhbllokon krizën në Kuvend./arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara