OSHP “përdor” pandeminë për të mos mbajtur seanca

14:48 | 29 Tetor 2020

Demokraci Plus (D+) reagon ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i cili për shkak të Pandemisë me COVID-19 nuk është duke i mbajtur fare seancat me palët dhe publikun dhe në këtë formë është duke e dëmtuar seriozisht integritetin e procesit të shqyrtimit të ankesave.

Mos mbajtja e seancave me palët në kuadër të shqyrtimit të ankesave u pamundëson palëve ballafaqimin e argumenteve ndërmjet tyre dhe kundërshtimet e ekspertizave gjë që paraqet thelbin e shqyrtimit të ankesave në prokurim publik.

Po ashtu, ballafaqimi i palëve është e drejtë e garantuar me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative. Secilës palë duhet t’i garantohet e drejta e dëgjimit pranë panelit në mënyrë që të ketë mundësi të dëshmojë se ankesa është e bazuar dhe se paneli ka dëgjuar të gjitha provat dhe pretendimet e parashtruara.

Në praktikën aktuale, OSHP është duke marrë vendime vetëm në prani të panelit me arsyetimin e rrezikimit nga pandemia. Sidoqoftë, ky arsyetim ka pasur bazë vetëm për një kohë të shkurtër dhe OSHP duhet që të përdorë teknologjinë informative, apo të organizojë seancat me masa mbrojtëse dhe në këtë mënyrë t’i mundësojë palëve që të parashtrojnë argumentet e tyre në seancë ku i ballafaqojnë të gjitha kundërshtimet dhe pretendimet e veta.

Prandaj, Demokraci Plus i bënë thirrje OSHP-së që të rikonsideroj vendimin e saj për të mos mbajtur seanca të hapura me palët dhe të garantojë se secili vendim i saj të nxirret vetëm pasi që palëve t’iu garantohet e drejta e dëgjimit. Kjo rritë besimin në vendimet e OSHP-së dhe mundëson që vendimet e panelit shqyrtues të jenë të mirë informuara dhe të bazuara në pretendimet e plota të palëve ndër-ankuese.

Praktika aktuale e mos mbajtjes së seancave dëgjimore ka rritur brengën e publikut dhe sektorit privat se vendimet në OSHP merren sipas dëshirës së grupeve para-politike dhe jo sipas fakteve dhe dëshmive të dorëzuara në ankesa.

Lajmet më të lexuara