OSBE do të ketë mandat të kufizuar për monitorim të zgjedhjeve në veri

08:21 | 28 Prill 2019 | Vlora Selimi

Kanë mbetur më pak se një muaj deri në ditën kur katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit do të përzgjedhin kryetarët e tyre.

E për 19 majin, tashmë kanë filluar përgatitjet që ky proces të shkojë sa më mbarë, shkruan arbresh.info.

Ndonëse kanë mbetur më pak se një muaj, vëzhguesit për monitorimin e këtij procesi ende nuk janë përzgjedhur.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë për arbresh.info, se deri më tash të gjitha përgatitjet janë duke u bërë në rregull dhe pa ndonjë pengesë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është duke vazhduar me përgatitjet dhe deri tash janë duke shkuar shumë mirë. S’ka ndonjë vonës apo pengës. Ne përgjithësi organizimi është duke shkuar sipas planit të KQZ-së. Vëzhgimi i zgjedhjeve ndikon në rritje të besueshmëri dhe KQZ-ja fton dhe mirëpret vëzhguesit e zgjedhjeve. Afati i fundit për kërkesë për akreditim është më 12 maj . Të gjitha organizatat përfaqësuesit e huaj apo mediat janë të mirëseardhur për akreditim. Deri tani kemi pranuar disa kërkesa për certifikim”, u shpreh ai.

E edhe në këtë proces zgjedhor, roli i OSBE-së në veri të vendit do të jetë i njëjtë si në zgjedhjet e vitit 2017, thotë Elezi.

“KQZ-ja e ka bërë të qartë rolin e OSBE-së në Kosovë dhe do të jetë i ngjashëm si në vitin 2017 edhe në këto zgjedhje do ta ketë të njëjtin rol. Sipas KQZ-së,  ky rol i OSBE-së do të jetë i kufizuarve, kryesisht në këshillat teknike për komisionet komunale dhe këshillat për antarët e këshillave të vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi tutje.

Të drejtë vote për të përzgjedhur kryetarët e katër komunave veriore do të kenë mbi 58 mijë votues.

Elezi tutje ka shtuar se në katër komunat do të jenë gjithsesi 44 qendra të votimit.

“KQZ-ja ka disa periudha përgatitor aktualisht janë duke u zhvilluar disa. Tash mund të bëhet ndërrimi i qendrës se votimit deri më 29 prill pastaj regjistrimet si votues dhe procese të tjera. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore në bazë të listës preliminare numri i qytetarëve me drejtë vote janë mbi 58 mijë, por kjo nuk është  definitive. Këta votues janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit”.

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, po mbahen për arsye të dorëheqjes së katër kryetarëve të cilët janë nga radhët e Listës Serbe. Dorëheqja e tyre kishte ardhur në shenjë revolte pas vendosjes së taksës prej 100% ndaj produkteve serbe./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara