Opozita e painteresuar për postin e presidentit, presin krijimin e qeverisë së re

18:24 | 15 Janar 2020

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk po arrijnë të gjejnë një marrëveshje për koalicion bashkëqeverisës.

Nga Vetëvendosje kanë deklaruar se problem kryesor për mos arritjen e marrëveshjes që nga fillimi i negociatave ka qenë posti i presidentit, pasi LDK po insiston që ta ketë këtë pozitë.

Përkundër ofertës së fundit që i ka bërë VV-LDK-së ku tha se do të shtonte numrin e ministrive në mënyrë që LDK të ketë një më shumë, u refuzua përsëri nga këta të fundit. Kryetari i partisë, Isa Mustafa të mërkurën i dërgoi me shkrim propozimin e 8 janarit VV-së, për të cilin tha se kishin diskutuar verbalisht.

Për të kuptuar nëse janë pro të një presidenti nga LDK, lajmi.net ka kontakuar me partitë opozitare.

Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se është herët që të diskutohet për një gjë të tillë, pasi ende nuk ka marrëveshje për qeverisje.

“Po kur vjen momenti për votim bisedohet, ende është herët për të biseduar rreth çështjes së presidentit pasi nuk ka marrëveshje për formim të qeverisë”, u shpreh Kadrijaj.

Ajo theksoi se partnerët e koalicionit e kanë obligim të sigurojnë votat.

“Kjo nuk është obligim i opozitës por për të arritur deri të votimi i presidentit ka kohë. Çdo vendim merret në strukturat e partisë”, ka thënë deputetja e AAK-së.

As në AKR nuk është diskutuar pozita e presidentit. Nga kjo parti u shprehën se janë të interesuar për krijim sa më të shpejtë të institucioneve.

“Ne nuk kemi vija të kuqe për askënd, jemi parti institucionale që respekton institucionet. Jemi kundër asaj që vendi të mbetet pa institucione pasi është në dëm të të gjithve. Ne jemi për me u kriju sa më shpejtë, duhet t ëveprojmë në të mirë të vendit”, ka thënë, Vesel Makolli sekretar i AKR-së.

Makolli ka theksuar se presidenti është tjetër rast dhe zgjedhja e tij nuk varet nga kjo parti.

“Presidenti është një rast tjetër, e as që është biseduar për atë punë në fakt është diçka që nuk varet vetëm prej nesh. Vota jonë është determinuese por ne jemi parti sociale dhe jemi kundër këtij vakuumi i cili është i dëmshmëm për Kosovën”, ka përfunduar ai.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk janë përgjigjur për çështjen në fjalë.

Përkundër se partitë nuk kanë ndonjë afat të caktuar kushtetues se kur duhet t’i përfundojnë negociatat për marrëveshje, VV dhe LDK pritet që gjatë ditëve në vijim të bien dakord për bashkëqeverisje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara